
TIRANË- Bujar Spahiu është kërcënuar edhe me jetë për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Sipas burimeve të "MCN", Bujar Spahiu është kërcënuar në të paktën dy raste nga persona që fillimisht i janë hequr si besimtarë, por me vete kanë pasur armë zjarri. Gjithashtu në zyrën e tij ka hyrë edhe një person me të shkuar kriminale, duke i kërkuar që të largohej nga posti.
Por kërkesa për dorëheqje i është bërë edhe dy biznesmenë të fuqishëm në Shqipëri. Vetëm se këta të fundit i kanë prezantuar edhe versionin e një tërheqjeje fiktive. Pak javë më parë para selisë së Komitetit Mysliman Shqiptar pati edhe një protestë kundër kryetarit, ndërsa edhe pse MCN TV kërkoi të merrte një koment nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për këto çështje, por institucioni nuk pranoi të japë një reagim.
Kryetari aktual i KMSH konsiderohet nga shteti turk si një njeri pranë fondacionit FETO (gylenist), pasi ka studiuar përmes ndihmesës me bursë nga një nga fondacionet e themeluara nga Fetullah Gylen. Armiqësia e njohur e Erdogan me rrjetin Feto është kthyer në kufirin që presidenti turk ka vendosur në miqësinë e tij me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama. Më 17 janar 2022, Erdogan kërkoi hapa konkretë dhe e quajti një “parakusht” për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve. Gjithashtu ai e cilësoi FETO-n “kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.
Teksa Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama thonë se nuk i kanë asnjë borxh presidentit turk për të dorëzuar anëtarët e lëvizjes Gylen, xhamia e Namazgjasë është bllokuar. Punimet vazhdojnë por datë inagurimi nuk ka, për më shumë se 7 vite që nga viti 2015, kur nisi edhe hedhja e themeleve. Duhet të përfundonte Brenda 2 vitesh, por kanë kaluar 7 dhe xhamia ende nuk është gati.
Ardhja e Bujar Spahiut nuk ishte një zgjidhje, por një alternativë momenti që nuk dha paqe në Komunitetin Mysliman në Shqipëri. Në pranverën e vitit 2019, kur ishte duke u zhvilluar gara për zgjedhjen e kryetarit të ri, Skënder Bruçaj, që drejtonte asokohe KMSH u tërhoq nga gara. Turqit ushtruan një presion të jashtëzakonshëm që KMSH të mos drejtohej më nga një njeri i lidhur sipas tyre me Gylenin, ndërsa Rama u detyrua të lëshonte shpurën qeveritare në mbështetje të imamit Ylli Gurra. Me një shkollim në Egjipt, mbështetje nga Perëndimi dhe profil të ulët, Spahiu u pa si emri që do të shmangte përplasjen me Turqinë. Sot, Spahiu është sërish në shënjestër për vendin e tij në KMSH, ndërsa prej vitit 2016, Shqipëria ka bërë lëshime të vogla, si lejimin e zëvendësimit të institucioneve arsimore të financuara nga gylenistët nga një fondacion shtetëror turk./Zëri.ai