
BRITANI- Një grup trafikantësh i përbërë nga tetë persona mes të cilëve dhe shqiptarë është goditur këtë të premte nga Policia britanike ndërsa është sekuestruar sasi e madhe kokaine që kapte vlerën e 250 mijë paundëve në treg. Grupi i trafikantëve përbehej nga rumunë, bullgarë dhe shqiptarë, konkretisht Hamit Morina, Indrit Gaxha dhe Florand Omeri. Ata akuzohen për trafik droge dhe emigracion të paligjshëm.
Të gjithë jetonin për kamuflim në banesa sociale por kishin ngritur një rrjet të gjërë shpërndarjeje në të gjithë Skocinë. Ndërkohë që droga shpërndahej dhe në Edinburg dhe Londër. Për kapjen e tyre u organizua një operacion i gjërë policor me pjesëmarrjen e të tre policive.
“Ne jemi të përkushtuar të identifikojmë të gjithë zinxhirin e furnizimit për të ndaluar të gjithë ata që po dëmtojnë komunitetin tonë duke sjellë drogë në Edinburg. Aktivitete të tilla si ky operacion ndërkufitar na kanë treguar se ne mund të punojmë shumë mirë me kolegët tanë në komunitetet lokale, por edhe me oficerët e policisë në Skoci dhe Angli. Ky rast na tregoi se trafiku i drogës dhe krimi nuk kanë kufij. Komunitetet lokale nuk duhet të tolerojnë dëmet e shkaktuara nga shpërndarja e drogës dhe përdorimi i drogës dhe unë do t'i bëj thirrje kujtdo që ka informacion që mund të na ndihmojë të nxjerrim përgjegjësit para drejtësisë të denoncojë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të lajmërojnë policinë në numrin 101 ose të telefonojnë CrimeStoppers në mënyrë anonime në 0800555111, "tha Detektivi Ian Ramsay.