
ATHINË- Detaje të reja janë zbardhur nga atentati që ndodhi disa ditë më parë në Greqi, ku humbi jetën Irakli Davella dhe u plagos 46-vjeçari Edi Lulo alias Etmond Hysa. Sipas "Top Channel", mësohet se Davella dhe Lulo ndodheshin në një distancë nga njëri-tjetri, por të dy janë qëlluar me të njëjtën armë.
Sipas autoriteteve, të dy kanë qenë shënjeshtra e atentatorëve, të cilët hapën zjarrë nga makina dhe u larguan në drejtim të paditur. Hysa, rezulton se ka qenë dënuar më parë me burg nga autoritetet greke, pasi në vitin 2011 së bashku me dy shqiptarë të tjerë kanë grabitur Dhomën e Avokatëve të Athinës, ku morën një shumë rreth 405 mijë euro.
Po ashtu, ai u dënua për grabitjen e një klinike mjekësorë në Pagrati, ku morën pajisje me vlerë 110 mijë euro. Pasi ai përfundoi dënimin në Greqi, u riatdhesua në Shqipëri. I plagosur jetonte në Dubai, por në datë 9 dhjetor ka shkuar në Greqi me identitetin Edi Lulo. Po me këtë identitet të ri, Hysa rezulton i regjistruar në Shqipëri, ku është dhe pronar i një biznesi në qytetin e Durrësit. /ZËRI