
BRUKSEL- Autoritetet belge kanë shkatërruar një organizatë kriminale që kontrabandonte drogë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila drejtohet nga shqiptarët. Mësohet se shqiptarët punësonin shoferë kamionësh grekë për të transportuar kokainën midis Belgjikës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Disa të dyshuar u arrestuan gjatë kontrolleve në 30 banesa të hënën.
“Organizata operonte nga disa lokacione në Belgjikë, kryesisht në Rajonin e Kryeqytetit të Brukselit, por edhe në Brabantin Flaman dhe Brabantin Valon. Gjatë operacionit të mëngjesit të djeshëm, u kryen rreth 30 bastisje në këto zona të ndryshme, gjatë të cilave disa të dyshuar u arrestuan dhe u sekuestruan disa prova”, tha Prokuroria Publike e Brukselit.
Kontrolle u zhvilluan edhe në Mechelen (provinca e Antëerp-it), Kortenberg dhe Zaventem (Brabant Flaman) dhe Sint-Truiden (Limburg). Gjatë këtij procesi, hetuesit konfiskuan dy armë zjarri, para të gatshme, sende luksi dhe disa automjete.
Shkatërrimi i rrjetit
“Këto sekuestrime kontribuojnë në shkatërrimin e rrjetit duke zbuluar burimet financiare dhe logjistike që dyshohet se përdornin të dyshuarit në aktivitetet e tyre të paligjshme”, deklaroi Prokuroria.
Sipas autoriteteve belge organizata kriminale përdorte kompani transporti për të fshehur transportin e drogës, duke fshehur ngarkesat e drogës në kamionë që transportonin mallra legale. Në këtë mënyrë, droga kontrabandohej në tregun anglez. Para operacionit të së hënës, hetuesit kishin monitoruar disa dërgesa të dyshimta, duke i mundësuar autoriteteve franceze dhe angleze të sekuestronin si ngarkesat e kokainës ashtu edhe shuma të mëdha parash. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të identifikuar të gjithë anëtarët e tjerë dhe për të shkatërruar rrjetin. /ZËRI