
RRËSHEN- Atentati pa autor ndaj Martin Bardhit, që i mori jetën këtij të fundit, dhe plagosi 3 të tjerë, duket se i ka kushtuar shtrenjtë dhe drejtuesve të policisë në këtë qytet. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se 3 ditë pas atentatit, ka pasur ndryshime në radhët e komisariatit në Mirditë.
Detyrën e Shefit të Komisarit në Miditë e ka marrë Klodian Kondi, ndërsa detyrën e zv. drejtorit të hetimit e ka marrë Gentian Berberi. Altin Mena po ashtu është emëruar zëvendës drejtor rendi në komisariatin e Policisë së Rrëshenit.
Emërimet e reja pritet që ti japin një shtysë më shumë hetimeve për vrasjen e Bardhit dhe plagosjes së 3 personave që ishin në tavolinë me të në ditën kur ndodhi krimi.
-
Tronditet Rrësheni! Ekzekutohet Martin Bardhi, plagosen 3 kalimtarë
26 Shtator, 11:00
Ajo që e bëri më të parehatshme pozitën e policisë në Rrëshen është se vrasja ndodhi në një ambient shumë pranë komisariatit të qytetit, e megjithatë nuk pati një reagim të shpejtë për kapjen e autorëve, të cilët dogjën dhe makinën në një fshat të Mirditës.
Pavarësisht kontrolleve të shumta që u bënë në ditët që pasuan, atentati që prishi rehatinë e qytetarëve të Rrëshenit mbetet ende pa autor, ndërkohë që frika nga një zinxhir hakmarrjesh është prezente në qytet. Martin Bardhi nuk ishte një emër i panjohur në qytetin e Rrëshenit, ku ishte pronar dhe i disa bizneseve, mes tyre dhe i lokalit ku mbeti i vrarë. Ai kishte dalë nga burgu në muajin Korrik, pasi ishgte vënë në pranga për atentatin e dështuar ndaj Saimir Reçit, ngjarje e ndodhur në muajin Mars të këtij viti, për të cilën është ende në kërkim djali i tij. Pas lirimit nga Gjykata, me pretendimin se kishte pamje filmike që provonin mospërfshirjen e tij në atentatin ndaj Reçit, Bardhi qëndroi për disa javë në hije, nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme. Hakmarrje që të paktën deri tani mbetet pista kryesore për eleminimin e tij./Zëri.ai