Aktualitet

Pazare votash në zgjedhjet e 14 Majit, SPAK përfundon hetimin për 2 të pandehurit

Kristo Agalliu dhe Agron Duraj akuzohen për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje"

D.XH
Pazare votash në zgjedhjet e 14 Majit, SPAK përfundon hetimin për
Kristo Agalliu

TIRANË - SPAK ka dërguar për gjykim dy persona, të cilët akuzohen për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhjet e 14 majit. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 27.09.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve Kristo Agalliu dhe Agron Duraj.

“Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.96 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 27.09.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1. Kristo Agalliu, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

2. Agron Duraj, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datën 09 Maj 2023, i pandehuri Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare të pandehurit Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023”, njofton SPAK.

Video kompromentuese e shit-blerjes së votës

Kristo Agalliu 52 vjeç, banues në Tiranë u vu në pranga më 10 maj dhe Agron Duraj, 61 vjeç, u vu nën hetim pas publikimit të një videoje ku komunikonin për shit-blerje votash.

61-vjeçari Duraj dëgjohet teksa komunikon në telefon me shtetasin Kristo Agalliu.

“100 mijë lekë është turp. Ja marrim, por është turp 100 mijë lekë. Ti 2 vota ke, unë kam 4 vota. Po mire, unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën atje. Të më hedhë karburantin ai. E ul pazarin nga e keqja. 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë. Pazari i fundit”, dëgjohet teksa thotë Duraj./Zëri.ai/

 

Poll

MOS HUMB