
RRËSHEN- Zëri.ai ka siguruar pamjet e makinës së autorëve të vrasjes së Martin Bardhit mesditën e sotme në qendër të qytetit të Rrëshenit, e cila u dogj vetëm disa minuta pas ngjarjes në fshatin Gëziq, në Mirditë.
Përveç Bardhit që u ekzekutua për vdekje në ambientet e lokalit të tij, mbetën të plagosur dhe shtetasit Olti Gjini, Ilir Bardhoku dhe Indrit Bardhi, ky i fundit djali xhaxhit të viktimës, Martin Bardhi.
Ndërkohë në një reagim të minutave të fundit sa i takon ngjarjes, policia thotë se për kapjen e autorëve janë duke u ushtruar kontrolle nga toka dhe nga ajri.
“Policia e Shtetit në kuadër të veprimeve intensive hetimore dhe gjurmuese për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes kriminale të ndodhur paraditen e sotme, në Rrëshen, ku u vra me armë zjarri shtetasi Martin Marku Bardhi dhe u plagosën 3 shtetas të tjerë, Policia e Shtetit po intensifikon kontrollet në zonën ku u gjet automjeti i djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.
Kontrollet në zonë po bëhen edhe nga ajri, me helikopter, nga shërbimet e Repartit Special RENEA.
Zona po kontrollet nga toka, nga dhjetëra shërbime të FNSh-së, të Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe forcat operacionale.
Për kontrollin e zonës së pyllëzuar, shërbimet e Policisë janë duke përdorur edhe 5 dronë”, njofton policia.
-
Tronditet Rrësheni! Ekzekutohet Martin Bardhi, plagosen 3 kalimtarë
26 Shtator, 11:00
Vrasja e Bardhit ndodhi në ambientet e lokalit në pronësi të tij, ku ai po qëndronte me 3 personat e plagosur. Sipas drejtorit të Policisë së Rrëshenit, Alfred Elezi dyshimet e para janë që ngjarja të ketë ndodhur për motive hakmarrje.
“Në lokalin e tij është vrarë me armë zjarri shtetasi Martin Bardhi dhe janë plagosur tre të tjerë, që kanë qenë në tavolinë me të. Auotrët e ngjarjes kanë qenë dy persona të maskuar me fuoristradë, e cila pak pas ngjarjes, është djegur në fshatin Gëziq. Shërbimet tona kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ku është djegur mjeti.
Shkuam menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ku është djegur mjeti, territori po kontrollohet në mënyrë intensive. Ne po bëjmë veprimet e para, dihet konflikti që kanë pasur mes fisesh po punojmë për zbardhjen e ngjarjes. Të plagosurit janë nën kujdesin e mjekëve, ata ishin në tavolinë me viktimën. Këta të fundit kanë rrethuar zonën, ndërsa në ndihmë të tyre kanë shkuar forcat “RENEA” dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë"-tha Alfred Elezi.
Por kush është Martin Bardhi dhe pse e donin të ekzekutuar?
62-vjeçari ka qenë një prej autorëve të të shtënave me armë ndaj Saimir Reçit, një ngjarje e ndodhur po ashtu në Rrëshen, në fillim të këtij viti. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në qendër të Rrëshenit në vitin 2020. Në ngjarjen e cila u regjistrua në 26 mars, është përfshirë edhe djali i Martin Bardhit, Erind Bardhi, si dhe një 28-vjeçar tjetër lidhje gjaku e familjes Bardhi. Ka qenë Erind Bardhi fillimisht, i cili është konfliktuar me Saimir Reçin në qendër të qytetit të Rrëshenit dhe pas këtij momenti ka shkuar në banesë për të marrë armën. Sipas Policisë, bashkë me babanë e tij, Martin Bardhin dhe një kushëri, qëlluan ndaj Reçit në dalje të qytetit, por makina e blinduar e shpëtoi këtë të fundit. Pak kohë më parë viktima e sotme u arrestua dhe më pas u la i lirë. Por megjithëse i shpëtoi akuzave të drejtësisë në lidhje me përplasjen me fisin Reçi, Bardhi nuk i ka shpëtuar plumbave të krimit, që pasojnë një seri hakmarrjes mes fiseve në Rrëshen./Zëri.ai