Aktualitet

Vrau Zef Gurin dhe plagosi të birin, policia identifikon autorin, familjar i tyre

Gjovalin Guri dyshohet si autor i krimit të dyfishtë që ndodhi në Dukagjin, ku u qëlluan me armë babë e bir

E.K
Vrau Zef Gurin dhe plagosi të birin, policia identifikon autorin, familjar
Ervin Hodaj në deklaratë për mediat

SHKODËR- Drejtori i Policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj, në një konferencë për mediat ditën e sotme, ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjet kriminale që kanë tronditur së fundi veriun e vendit.

Hodaj bëri me dije se është zbardhur vrasja e Zef Gurit dhe plagosjes së djalit të tij, Gjin Guri që ndodhi në Dukagjin. Policia dyshon se autor është shtetasi Gjovalin Guri, i afërm me viktimat, i cili është shpallur në kërkim. Hodaj tha se ai rezulton që të jetë në kërkim edhe për ngjarje e vepra të tjera penale, dhe se po punohet ngushtësisht me prokurorinë që të dokumentohet me prova krimi i dyfishtë në Dukagjin, ndërkohë që evidentoi si pengesa largësinë e vendit ku ndodhi vrasja, si dhe mospasja e pamjeve filmike në zonë.

“Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit”, njoftoi Hodaj.

Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas konflikteve dhe kërcënimeve të vazhdueshme për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave pyjore në atë zonë. Hodaj bëri me dije se autori është lidhje familjare me viktimën dhe të plagosurin.

“Janë lidhje familjare që kanë pasur konflikte edhe të mëparshme. I dëmtuari është person me precedentë të theksuar kriminalë dhe të gjitha këto ngjarje po i analizojmë për të arritur në dokumentimin e plotë të ngjarjes, së plagosjes dhe vrasjes së babait të tij”, tha drejtori i policisë.

Zef Guri, 73 vjeç, u vra mbrëmjen e 27 Shtatorit. Ai po udhëtonte me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës kur në rrugë u qëllua me armë. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur djali i tij, Gjini, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

I plagosuri Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2015, atëherë 38-vjeçar, ai figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim pasi qëlloi me armë ndaj helikopterit të policisë gjate patrullimit për zbulimin e zonave me kanabis. Ai ishte i dënuar nga gjykata me 7 vite burg.

Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij u vendos një sasi tritoli. Policia po heton në disa pista për atentatin e kësaj të mërkure, ku më kryesorja është mosmarrëveshja për lëndët narkotike e mbjella në zonën e Dukagjinit./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB