SHKODËR- Një vrasje është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në Dukagjin. "Zëri.ai" ka mësuar se është qëlluar me armë zjarri ndaj dy personave, babë e bir. Njëri prej tyre, i identifikuar si Zef Guri ka ndërruar jetë, ndërsa djali i tij, Gjin Guri ka mbetur i plagosur. Ky i fundit dyshohet të jetë dhe shënjestra e atentatit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Shkodër/Informacion paraprak. Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gj. G. dhe Z. G. Shtetasi Gj. G. po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Z. G. ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma. Me mbërritjen e shërbimeve dhe grupit hetimor, në vendngjarje, dhe pasi të sqarohen rrethanat e ngjarjes, do të ketë një njoftim tjetër

Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, Gjin Guri është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë ndërsa trupi i pajetë i babait të tij është dërguar nmë morg ku dhe do të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Ndërkohë drejt vendit të ngjarjes janë nisur Forcat RENEA, policia kriminale dhe krerët e Policisë së Shtetit.