
KORÇË- Është i dënuar me burg përjetë dhe ndodhet në një burg të sigurisë së lartë, por këto fakte nuk e kane penguar Laert Haxhiun që të ketë një telefon në qeli. Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve gjatë një operacioni në Burgun e Drenovës, kanë gjetur një celular në qelinë e Laert Haxhiut. Edhe pse është rreptësisht e ndaluar që të mbajë celular personal, duket se Haxhiu ka gjetur mënyrën sesi të sigurojë një mjet të tillë.
Pasi është konstatuar, nga ana e uniformave blu është bërë menjëherë sekuestrimi i telefonit. Tanimë që mjeti është në duart e Policisë, pritet të kqyret nëse ka patur kontakte përmes tij dhe personave të tjerë. Gjithashtu do të zbulohet nëse celulari është përdorur për të dhënë direktiva për anëtarë të tjerë të grupit që nuk janë në pranga. Po ashtu, do të nisë një hetim për të mësuar sesi Haxhiu ka mundur që të fusë në burg aparatin celular. Deri më tani, i vetmi kontakt i tij me botën e jashtme, kanë qenë daljet për të ardhur në Tiranë, në seancat gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Haxhiu përballet me Marjus (Artan) Tafanin, i cili është bërë i penduari i drejtësisë, duke zbardhur një sërë krimesh të kryera nga ashtuquajtura "Banda e Lushnjes".
Laert Haxhiu është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjes. “Masakra e Lushnjes” ka ndodhur në shtator të vitit 2017. Shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Dosja u zbërthye pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Marjus Tafani. Laert Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe më pas, pas një procesi të gjatë gjyqësor në vendin fqinjë u ekstradua në Shqipëri./ZËRI