DIBËR- Një 47-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar ka përfunduar në prangat e Policisë së Dibrës. Bëhet fjalë për Zabit Fisniku alias Artur Fisniku ishte dënuar me 16 vite burgim për prostitucion. Ai u ndalua sot në aeroportin e Rinasit, pasi ishte shpallur në kërkim që në vitin 2005. Asokohe, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e kishte dënuar me 16 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i femrave për prostitucion”, kryer në bashkëpunim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Dibër/Vijon zbatimi i planit operacional mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit", për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.
I dënuar me 16 vjet burgim, për trafikim të femrave për prostitucion, vihet në pranga 47-vjeçari.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën dhe PKK Rinas, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “The end”.
Gjatë operacionit, në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: Zabit Fisniku alias Artur Fisniku, 47 vjeç, banues në fshatin Trenë, Dibër. Në vitin 2005, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 16 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i femrave për prostitucion”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI