TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me tritol i regjistruar më 8 gusht në derën e banesës së një 72-vjeçari në Tufinë, ku autorët e dyshuar janë tre vëllezër.
Bëhet fjalë për Ervis Alla, Altin Alla dhe Maksim Alla, të cilët janë shpallur në kërkim nga Policia. Sipas burimeve, tre vëllezërit kanë një mobileri në Fushë-Krujë, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur pas një porosie për mobilje dhe borxh të pashlyer.
Po sipas burimeve, dyshohet se djali i 72-vjeçarit kishte porositur disa mobilje në biznesin e vëllezërve Alla, por nuk kishte kryer pagesën. Prej disa ditësh, ai po kërkohej dhe kërcënoj nga 3 vëllezërit. Sipas hetimeve paraprake, ata dyshohet se kanë vendosur t’i japin një “mesazh” përmes shpërthimit me tritol, duke e vendosur lëndën plasëse në derën e banesës ku jetonte babai i tij.
Sipas Policisë, vëllezërit Alla kanë vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse në derën e banesës dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Policia bën me dije se tre vëllezërit, me precedentë të mëparshëm penalë, janë shpallur në kërkim për “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 08.08.2026, në lagjen “Tufinë”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në derën e banesës private të një 72-vjeçari.
Shpallen në kërkim 3 shtetas, vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes. Të tre vëllezërit me precedentë të mëparshëm penal.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se në lagjen “Tufinë”, në derën e banesës së shtetasit J. M., kishte shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar dëme të pakta materiale, kanë organizuar operacionin policor “Motivi”, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, këqyrjes së vendit të ngjarjes, administrimit të provave, në kuadër të operacionit të koduar “Motivi”, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit E. A., 39 vjeç, A. A., 43 vjeç dhe M. A., 41 vjeç, të tre vëllezër, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.
Nga tërësia e veprimeve hetimore, si dhe nga informacionet e siguruara në rrugë operative, dyshohet se shtetasit E. A., A. A. dhe M. A., më datë 08.08.2026, rreth orës 00:30, për motive të dobëta, kanë vendosur dhe shpërthyer një sasi lënde plasëse në derën e banesës së shtetasit J. M., duke shkaktuar dëme të pakta materiale.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 00:30 të 8 gushtit dhe shkaktoi dëme të pakta materiale në banesë. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar. Ndërkohë, policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen 3 vëllezërve Alla. /ZËRI