DURRËS- Një tjetër incident është regjistruar pranë biznesit të reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy, në zonën e Plazhit në Durrës, pas ngjarjes në vitin 2022.
Policia e Durrësit bën me dije se në orët e para të mëngjesit, pranë derës së dyqanit është konstatuar një sasi e vogël e dyshuar lëndë eksplozive, e cila këtë herë nuk kishte shpërthyer.
Sipas bluve, autoritetet kanë nisur verifikimet për të dokumentuar rrethanat e rastit dhe për të identifikuar autorin ose autorët që kanë vendosur lëndën e dyshuar eksplozive pranë biznesit.
"Në orët e para të mëngjesit, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në derën e një dyqani në pronësi të shtetasit R. R., është gjetur një sasi e vogël e dyshuar lëndë eksplozive e pashpërthyer. Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.", thuhet në njoftimin e Policisë.
Për momentin nuk dihen motivet e ngjarjes së sotme, ndërsa rasti i fundit rikthen vëmendjen te një tjetër incident i regjistruar katër vite më parë pranë biznesit në pronësi të Rajkut. Për këtë rast, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2022, ku biznesit të reperit iu vendos lëndë plasëse. Nga hetimet rezultoi se tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut, pas sherrit që Noizy kishte pasur me reperin tjetër, Kleviol Ahmeti, të njohur me pseudonimin "Cllevio"./ZËRI