RROGOZHINË- Një konflikt mes dy personave në Spille të Rrogozhinës rrezikoi të përfundonte në një ngjarje të rëndë, por u parandalua falë ndërhyrjes në kohë të Policisë.
Sipas njoftimit të Policisë, 31-vjeçari Neldi Hallulli dyshohet se tentoi të vriste me kallashnikov 38-vjeçarin Indrit Rama, por u kap dhe u arrestua në flagrancë.
Nga hetimet paraprake, konflikti mes dy personave kishte nisur fizikisht, ndërsa situata u përshkallëzua kur 31-vjeçari dyshohet se mori armën dhe tentoi të qëllonte 38-vjeçarin. Edhe ky i fundit është proceduar penalisht, pasi dyshohet se kishte goditur me grushte 31-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Kavajë/Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandaloi përshkallëzimin e konfliktit me armë zjarri.
Kapet në flagrancë gjatë konfliktit me armë zjarri dhe vihet në pranga një 31-vjeçar, i cili tentoi të vriste me armë zjarri një 38-vjeçar.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov me municion luftarak.
Procedohet penalisht dhe shtetasi tjetër i përfshirë në konflikt.
Pas marrjes së informacionit në rrugë operative se në zonën e Spillesë, Rrogozhinë, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Policisë u organizuan dhe ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Postës së Policisë Rrogozhinë, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit N. H. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, ky shtetas mbante një armë zjarri, “Kallashnikov”.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi N. H. kishte pasur një konflikt me shtetasin I. R. dhe, në vijim të konfliktit, dyshohet se kishte qëllim ta vriste atë.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, duke shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe pasojat e rënda për jetën e 38-vjeçarit.
Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe shtetasi I. R., për "Dëmtime të tjera me dashje", sepse ka goditur me grushte shtetasin N. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.