Aktualitet

Hyn në fuqi ligji i ri për Policinë, ndryshojnë rregullat për drejtuesit dhe gradat

Një tjetër risi lidhet me të ardhmen profesionale të drejtuesit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit.

M.K.
Hyn në fuqi ligji i ri për Policinë, ndryshojnë rregullat
drejtoria e policise tirane

TIRANË- Ka hyrë në fuqi ligji i ri për Policinë e Shtetit, i cili sjell ndryshime në mënyrën e emërimit të drejtuesve të strukturave vendore, qëndrimin në detyrë të drejtuesit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit, si dhe sistemin e gradave në polici.

Me ndryshimet e reja, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit fiton më shumë kompetenca për të bërë ndryshime në drejtimin e drejtorive vendore dhe komisariateve, pa qenë e nevojshme që këto pozicione t’i nënshtrohen një procesi konkurrimi. Ndryshimet mund të bëhen kur vlerësohet se ato i shërbejnë përmirësimit të rendit dhe sigurisë publike.

Ndërkohe konkurrimi vijon të mbetet pjesë e procedurës për përzgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Po përmes konkursit do të përzgjidhen edhe drejtuesit e departamenteve, pavarësisht diskutimeve fillestare për heqjen e garës për këtë kategori.

Një tjetër risi lidhet me të ardhmen profesionale të drejtuesit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit. Ligji parashikon që ai të vijojë karrierën brenda Policisë së Shtetit, duke ruajtur statusin dhe gradën përkatëse.

Ndryshime janë bërë edhe në sistemin e gradave. Afati i nevojshëm për kalimin nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe nga “kryekomisar” në “drejtues” është shkurtuar nga pesë në katër vjetë. Synimi i këtij ndryshimi është që avancimi në karrierë të mos pengohet nga procedurat formale për punonjësit që kanë rezultate të mira në detyrë.

Ligji parashikon gjithashtu mundësinë e avancimit të një punonjësi në gradë si vlerësim për një veprim të kryer në rrethana të rrezikshme apo të paparashikueshme, kur ai tejkalon pritshmëritë e detyrës.

Ndryshimet e reja kanë hyrë në fuqi më 24 gusht, pas miratimit të ligjit nga Kuvendi më 23 korrik./ZËRI

Poll

MOS HUMB