
GREQI- Protothema ka publikuar raportin e ekspertizës mjeko ligjore të Erjon Pelivanin, i cili u vra nga kunati i tij Fatmir Tarellari, pasi vajza i kishte rrëfyer se 33-vjeçari e kishte përdhunuar që në moshën 9-vjeçare.
Sipas informacioneve, ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar plagë në bark nga të shtënat dhe lëndimet në kokë nga goditjet me fundin e pushkës.
Vrau kunatin sepse kishte vite që përdhunonte vajzën e tij
Autori i vrasjes Fatmir Tarellari ka mësuar vetëm katër ditë më parë për abuzimin seksual që ka pësuar vajza e tij që në moshën 9-vjeçare dhe shantazhin për të mos folur. Viktima i tregoi 50-vjeçares mesazhet që i kishte dërguar kunati nga martesa e dytë, duke i treguar se ai ishte përdhunuesi i saj .
“Nëse nuk më jep paratë, do t’i tregoj të gjithëve dhe familjes tuaj për fotot”, mësohet se ka shkruar kunati i 50-vjeçarit në një nga mesazhet që kërcënonte vajzën e tij.
Sipas 18-vjeçares shantazhi ka nisur rreth 12 muaj më parë kur vajza mësoi se 33-vjeçari kishte në celularin e tij video dhe foto të akteve të tij të neveritshme. Përveç mesazheve kërcënuese, në celularin e vajzës gjenden video dhe foto me skena dhunimi dhe për këtë pajisja është dërguar në laboratorët e mjekësisë ligjore për të nxjerrë të gjitha dosjet.
Sipas informacioneve, 33-vjeçari dyshohet se e ka përdhunuar vajzën 3-4 herë, që nga mosha 12 deri në 14 vjeç, duke filmuar në të njëjtën kohë veprimet e tij të pahijshme me celularin. Prej disa vitesh, viktima e mitur e mbante gojën mbyllur për atë që kishte kaluar.
Vajza u kishte besuar disa gjëra motrave të saj për sjelljen e tij “të çuditshme” pa iu dhënë detaje. Paraditen e së martës, ajo i ka treguar emrin e përdhunuesit të saj babait 50-vjeçar, i cili pak orë më vonë e vrau. /ZËRI