
DURRËS- Amarildo Meta, djali i vogël i Pëllumb Metës ka mohuar lidhjen me vrasjen e të atit, por shenjat e gishtave e kanë "tradhëtuar". Në armën me të cilën iu mor jeta Pëllumb Metës janë edhe shenjat e Amarildos, të provuara nga akt-ekspertiza balistike që i është bërë pistoletës. Por kur është pyetur sërish, ai nuk e ka pranuar se ka qëlluar. Ai ka pretenduar sërish para hetuesve se nuk e ka prekur pistoletën dhe se ka qenë e motra ajo që ka kryer vrasjen në kohën kur ai ka qenë në servis.
Po sipas tij, gjithë çfarë ka bërë ka qenë ndihma që i ka dhënë të vëllait, Hysenit për të fshehur mjetin e të atit, i cili u gjet në sektorin Rinia. Por duket se tani nisin telashet për të, pasi dëshmia nuk përkon me gjetjet e Prokurorisë. Deri më sot, ai hetohej vetëm për fshehje të kufomës, por tashmë pritet që t'i ndryshojnë edhe akuzat, duke mos e përjashtuar faktin që edhe ai mund të ketë shtënë mbi të atin. Dje e gjithë familja u dërgua për t'u testuar në poligon, por vetëm Hygerta qëlloi. Gjithë të tjetër, Hyseni dhe Amarildo, bashkë me të ëmën e tyre, Blerina refuzuan me pretendimin se nuk dinin si të përdornin një armë zjarri.
Pëllumb Meta u gjet i varrosur në kasollen e bagëtive pranë banesës së tij. Policia thotë se ai u vra nga Hysen Meta që bashkëpunoi me motrën Hygertën për ta kryer krimin. Më pas për të zhdukur trupin ka ndihmuar edhe vëllai tjetër, Amarildo. Të tre tashmë janë pas hekurave të qelisë në arrest me burg. Ndërkohë mamaja e tyre, Blerina po hetohet në gjendje të lirë. Por është e paqartë se kush e ka tërhequr këmbëzën. Fillimisht vrasjen e mori përsipër Hygerta, por Policia arrestoi edhe të vëllanë e saj Hysenin./ZËRI