
TIRANË- Shefi i protokollit të oborrit mbretëror Beniamin Bakalli ka ngritur sërish dyshime lidhur me burimin e rrjedhjes në media të videos së sherrit mes Princ Leka II dhe ish-bashkëshortes së tij, Elia Zaharia. Në fjalën e tij, i ftuar në “Breaking”, Bakalli pretendon sërish se video është nxjerrë nga Prokuroria e Tiranës, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që ndodh.
"Për mua fajtor është prokuroria për publikimin e videos. Unë isha në Romë kur ndodhi dhe ne shqiptarët nga Prokuroria apo SPAK-u e dimë dy javë para që do arrestohet Berisha. Nga e dimë këtë informacion? 100% fajtore është Prokuroria. Video është dorëzuar me USB në zarf të mbyllur në Polici. Nuk mendoj se e ka bërë policia, brenda 24 orëve e ka dorëzuar në Prokurori dhe zarfi është hapur në prokurori dhe çdo gjë doli hapur. Kjo video është nxjerrë nga persona të tretë të cilët nuk e kanë menduar se kjo video do bëhej kaq virale, pra nuk i kanë menduar pasojat,"- tha Beniamin Bakalli.
Por pretendimet e tij janë hedhur poshtë që në ditën e parë të skandalit nga ana e Prokurorisë, por edhe nga Policia. Kjo pasi para Bakallit ishte vetë institucioni i Oborrit Mbretëror dhe ish-shefi për Marrëdhëniet me Publikun në Pallatin Mbretëror, Erjon Teli, ata që hodhën dyshime fillimisht tek Policia.
"Kjo video është deponuar sot në organet ligjzbatuese të vendit. Ne aludojmë se ka rrjedhur nga këto organe, do bëjmë një tjetër padi për nxjerrjen e videos. Nga ana e familjes mbretërore kjo nuk mund të ndodhte,"- tha Erion Teli.
I menjëhershëm ishte reagimi nga Policia e Shtetit, e cila mohoi kategorikisht deklaratën, duke u shprehur se: Deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë. Më pas, erdhi edhe reagimi nga Prokuroria e Tiranës, të cilët bënë me dije se po hetojnë për të mësuar edhe se kush e bëri publike videon e përplasjes. Por heqin përgjegjësitë nga vetja. Sipas Prokurorisë, zarfi me provat nuk ishte hapur ende kur pamjet bënë xhiron e rrjetit.
Prokuroria: Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale. Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur. Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjensia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse.
Megjithatë edhe pse më shumë se një javë ka kaluar nga skandali, sërish nuk ka fajtor. Por ka aludime se videoja mund të ketë dalë nga vetë Princi, për të dalë si viktimë në rastin e përplasjes me Elian. Megjithatë, ky version pritet që të konfirmohet nga Policia dhe Prokuroria./ZËRI