TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndarë çështjen për të pandehurit në dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për tre të pandehur: Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çokun. Ndërkohë, procesi ndaj ish-çiftit Meta-Kryemadhi do të vijojë veçmas, me gjykim të zakonshëm.
Në përfundim të seancës, avokati Kujtim Cakrani u shpreh se ata do të provojnë pafajësinë. Sipas Cakranit, prokurori nuk kishte paraqitur prova që të fajësonin Metën dhe se ish-presidenti nuk ishte përfshirë në asnjë bisedë, e-mail apo takim lidhur me çështjen.
“Janë rreth 120 dëshmitarë. Ka prova të reja që do t’i paraqesim në gjykatë. Çështja i bashkohet gjykimit të zakonshëm. Do të provojmë pafajësinë. Sot, prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte Metën. Zoti Meta nuk përfshihej në asnjë bisedë, e-mail apo takim. Do të vazhdojmë betejën tonë, edhe pse gjykata nuk na e pranoi kërkesën për masën e sigurimit.
Nuk e di çfarë ka dashur të thotë me numrin 7. Nuk bëri numrin 7, por shqiponjën. Meta është në lartësinë që kërkon pozicioni i tij si kryetar i PL-së. Përgjegjësinë Kryemadhi e ka marrë vetë që kur u pyet për hetimet paraprake në prokurori.
120 dëshmitarët janë pjesë e procesit hetimor dhe janë pyetur nga vetë organi i procedurës. Ne do të thërrasim edhe disa dëshmitarë të tjerë dhe do të paraqesim prova të reja”, u shpreh avokati Kujtim Cakrani./ZËRI