TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e dytë në themel në ngarkim të Ilir Metës, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë. Në seancën me dyer të mbylluar, ish-deputetja Kryemadhi pretendoi se nuk i janë dhënë provat siç duhet, dhe USB-ja është e paaksesueshme.
Kryemadhi pretendon se nuk janë përgjimet në dosje. Gjykata u përgjigj duke thënë se përgjimet nuk ekzistojnë, por kjo u kundërshtua nga Kryemadhi.
Po ashtu, ish-deputetja mbështeti kërkesat e avokatit të Metës, Kujtim Cakrani, lidhur me vendosjen e ish-presidentit në kafazin prej xhami: “Jam dakord me kërkesat e avokatit Cakrani. Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim: edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah".
Diskutimet:
Kryemadhi: Kam marrë prova dhe më është dhënë një USB nga akuza, por nuk hapet. Kërkoj të merren masa të më vendoset siç duhet. Nuk më janë vënë në dispozicion aktet për çdo përgjim të familjarëve.
SPAK: USB është marrë në gjykatë? Do ta zgjidhim, do ta japim.
Kryemadhi: Dua edhe përgjimet.
SPAK: Keni çdo gjë në dosje.
Kryemadhi: Jo, nuk i keni futur përgjimet.
Gjykata: Gjykata nuk ka se si t’ju japë diçka që nuk e disponon, pra s’ka përgjim.
Kryemadhi: Në listën e provave thuhet që ekzistojnë mbi 20 përgjime ambientale, kështu që duam t’i marrim. Në ato materiale nuk ekzistojnë.
Gjykata: Është detyrim i organit procedurial t’ua vërë në dispozicion.
Kryemadhi: Me çfarë lekësh i bënë këto ambiente?!
Ndërkohë prokurori i SPAK ka evidentuar prova nga dosja hetimore për të vërtetuar lidhjet e ish-presidentit me aferën CEZ-DIA dhe lobimet në SHBA. Sipas provave nga ana e prokurorit, në biseda flitet dhe për shpenzime që ka bërë Monika Kryemadhi me kartën e kushëririt të saj, biznesmeni Ardian Shatku.
"Meta ka pranuar se e njeh Kastriot Ismailajn, ka mesazhe intensive, Meta ne 2009 i ka çuar sms dhe i ka shkruar "dua 200". Meta e Kryemadhi kane mare përsipër te ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA qe kompania e Ardian Sharkut të futet ne treg. Ka komunikime te vazhdueshme, takim te Metës ne Marok dhe SHBA. Për fibrat, Shatku ka pasur interes për të ushtruar veprimtarinë për shtrimin e fibrave ne Shqipëri. Monika dhe Ilir Meta janë angazhuar për futjen në treg të kompanisë së Shatkut. Ata kanë ndikuar te Haxhinasto për të nxjerrë urdhrin nr. 1814, datë 20 mars 2015, për ndryshimin e urdhrit të mëparshëm për shtrirjen e fibrës.
Kryemadhi i ka shkruar Shatkut se ne duam kontratën, duke u nënkuptuar se e do edhe Meta. Marrëdhënia e Metës me kompaninë e Shatkut dhe lobimi: LSI ka bërë lobim përmes ndihmës së kompanisë së Shatkut. LSI ka bërë marrëveshje me disa kompani, duke raportuar se ajo marrëveshje zgjati 1 vit e 4 muaj, por realisht ishte vetëm një muaj, me një kosto prej 15 mijë dollarësh që kaloi nga llogaria. Kryemadhi përdori 234 mijë dollarë nga kartat e Ardian Shatkut”, ka thënë prokurori i SPAK.