TIRANË-SPAK i ka përcjellë zyrtarisht Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, konfirmimin e dënimit të formës së prerë për kryetarin e Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Prokuroria e Posaçme sqaron se procedimi penal ndaj Kreshnik Hajdarit është regjistruar me numrin 80, më datë 3 maj 2023, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Në 23 qershor të vitit 1999, ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje. Atëherë, Kreshnik Hajdari ishte 17 vjeç dhe si i mitur iu vendos masa e riedukimit, por këtë dënim nga Gjykata e Janinës, nuk e kishte deklaruar.
Më 14 nëntor të vitit 2023, Komsioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të mos e cënonte mandatin e Kreshnik Hajdarit, i cili kishte fshehur një dënim në formularin e vetëdeklarimit. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me 9 muaj burg kryebashkiakun socialist. Por, në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon ulje të dënimit në rast të procedurës së gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i është ulur një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burg.
Prokuroria i kërkon KQZ-së të marrë në shqyrtim informacionin e përcjellë, ndërsa çështja pritet të vijojë me zhvillime të mëtejshme dhe do të jetë pikërisht kjo e fundit që do vendosë për mandatin si kryebashkiak të Hajdarit, nëse do ndërpritet apo jo, kur jemi një vit para zgjedhjeve lokale të ardhshme.
Shkresa e plotë:
I nderuar z.Celibashi,
Në përgjigje të shkresës suaj nr. 980 Prot prot, datë 27.04.2026, ardhur dhe protokolluar me datë 29.04.2026, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje shtetasin Kreshnik Riza Hajdari, ju informojmë se: Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal me Nr.80, datë 03.05.2023, për veprën penale të parashikuar nga neni 190/2, i K.Penal, në ngarkim të shtetasit Kreshnik Riza Hajdari.
Pas përfundimit të hetimeve në lidhje me procedimin penal Nr.80, viti 2023, është vendosur dërgimi në gjyq, me kërkesë për gjykim më datë 18.12.2023, në ngarkim të të pandehurit Kreshnik Hajdari, për veprën penale të parashikuar nga neni 190/2, i K.Penal.
Me vendimin Nr.06, datë 25.01.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur :
Deklarimin fajtor të të pandehurit Kreshnik Hajdari për kryerjen e veprës penale "Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve", parashikuar nga neni 190/2, të K.Penal dhe dënimin e tij me 9 (nëntë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Kreshnik Hajdari i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 01 shkurt 2024 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal nr.06, datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili ka marrë formë të prerë, po në këtë gjykatë me datë 05.07.2024.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,
DREJTUESI I PROKURORISË
Klodjan Braho