TIRANË-Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuara ka inauguruar sot ambientet e reja. Kryetari në detyrë, Erjon Bani në fjalën e tij evidentoi disa nga ndërhyrjet e bëra duke nënvizuar se ky transformim ishte domosdoshmëri institucionale. Sipas tij, ky hap e bën gjykatën më dinjitoze dhe funksionale.
Erjon Bani: Sot po vendoset një standard i ri institucional për GJKKO, më modern, më funksional, më dinjitoz dhe më transparent. Drejtësia është, para së gjithash, një shërbim për qytetarin. Gjykata nuk ekziston për veten e saj, por për qytetarin dhe për besimin publik. Ambienti ku jepet drejtësi është pjesë e vetë mesazhit të drejtësisë dhe e cilësisë së saj. Frymëzimi për këtë transformim erdhi nga përvoja në gjykatat e Shteteve të Bashkuara. Infrastruktura gjyqësore është pjesë e kulturës së drejtësisë dhe e autoritetit të ligjit. Ky transformim nuk është luks, por domosdoshmëri institucionale dhe përgjegjësi ndaj qytetarit. Sallat e gjykimit janë zemra e gjykatës dhe duhet të garantojnë solemnitet, barazi dhe dinjitet.
Po ashtu është përuruar edhe zyra e medias, e posaçme për gazetarët. Hapësirë të dedikuar do të ketë edhe për pritjen e dëshmitarëve, si garanci për qetësi, mbrojtje dhe respekt.