Aktualitet

Gjyqi ndaj Metës, ish-presidenti mbetet në qeli! Avokati: Karçanaj u lirua

Meta vendosi garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, për të ndryshuar masën e ‘arrestit me burg’, por GJKKO refuzoi kërkesën.

F.I
Gjyqi ndaj Metës, ish-presidenti mbetet në qeli! Avokati:
Ilir Meta

TIRANË-Sot në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e radhës në themel për dosjen në ngarkim të ish-presidentit, Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë. 

Avokati i tij Kujtim Cakrani u shpreh se ndaj ish-presidentit Prokuroria e Posaçme nuk ka dhe nuk jep prova, teksa ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë. Meta vendosi garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, për të ndryshuar masën e ‘arrestit me burg’, por GJKKO refuzoi kërkesën. Ndërkohë prokurori i SPAK, Sotir Kllapi tha se avokati nuk paraqiti asnjë provë për zëvendësimin e masës, ndaj vlerësoi se nuk janë rrethanat për ta ndryshuar atë. 

“Meta ka 19 muaj në paraburgim. Gjykimi në themel ende nuk ka filluar dhe nuk dihet kur do të përfundojë. GJKKO e justifikoi masën me faktin se i pandehuri mund të dëmtojë provat duke intimiduar dëshmitarët. Rreziku i intimidimit të dëshmitarëve mbetet spekulativ. Prokuroria thotë që do prishë prova, por se cilat janë provat nuk e thotë. Prokuroria thotë që do të intimidojë dëshmitarët, por nuk thotë se cilët dëshmitarë do të intimidojë. Ne kërkojmë që ish-presidenti të ketë një masë më të butë. Gjykata duhet të parashohë rrethanat dhe rrezikshmërinë e individit, duhet arsyetuar nga gjykata pse mbahet në paraburgim një individ. Gjykata e Lartë liroi Mirlinda Karcanajn që akuzohet për grup kriminal, ndërsa Meta mbahet prej 19 muajsh në paraburgim”, u shpreh Cakrani.

Në mbështetje të Metës në sallën e gjyqit ishin dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe deputetë të Partisë Demokratike, Flamur Noka, Klevis Balliu e Bujar Leskaj.

Në seancën e kaluar (27 prill) kreu i Partisë së Lirisë u shfaq edhe për herë të parë publikisht që pas arrestimit të tij. Ish-presidenti u shfaq me dy gishta lart dhe duke bërë simbolin e shqiponjës nga kafazi prej xhami. Ish-presidentit iu rrëzua kërkesa që gjyqi të transmetohet drejtpërdrejtë nga mediat.

Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.

Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ. 

Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB