
FIER- Pas 14 muajsh në qeli, eurodeputeti Fredi Beleri kërkon lirimin me kusht nga burgu, ndërsa dënimi llogaritet që t’i përfundojë në muajin Tetor. Ai u dërgua me pranga në duar në ambientet e Gjykatës së Fierit, po seanca e sotmke u mbyll në më pak se 20 minuta, pa marrë një vendim për Belerin. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë Drejtoria e Burgjeve, e cila nuk paraqiti raportin e vlerësimit pasi mungonte dëshmia e penalitetit.
Fredi Beleri u përfaqësua nga avokati Geni Gjyzari, ndërsa gjyqtari i çështjes është Alfred Konomi. Seanca e radhës do të zhvillohet në datën 31 korrik. Fredi Beleri ndodhet pas hekurave prej datës 12 Maj 2023 dhe u dënua me 2 vite burg për blerje votash. Ai arriti të fitojë zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar nga qelia, por nuk u betua si kryebashkiak i Himarës pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij.
Ndërkohë Fredi Beleri ka kërkuar lirinë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, por kërkesat e tij janë rrëzuar. Megjithatë pak ditë më parë atij iu dha leje nga drejtoria e Burgjeve që të bënte betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian, si përfaqësues i Greqisë./ZËRI