
LEZHË- Eraldo Ndreca, 19 vjeç është vënë në prangat e Policisë së Lezhës këtë të martë pasi akuzohet për shitje të lëndëve narkotike. Ai u arrestua në aksin Lezhë-Milot, ndërsa para prangosjes tentoi t'i ikë policisë duke përdorur një motomjet (quad bike) por pa rezultat. Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara nga blutë e Lezhës Ndreca mban në kokë një kapuç dhe me shpejtësi tenton t'u shmanget efektivëve. Ndërsa kanabisi i ndarë në doza gati për shitje u gjet i fshehur në një paketë cigaresh. Ai do të përballet me veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Lezhë/Vijon zbatimi i masave në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli 2”. Goditet një rast i shitjes së cannabisit, në doza. Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej me motomjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, arrestohet në flagrancë 19-vjeçari që shiste dozat e cannabisit. Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, që iu gjet këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik. Sekuestrohet edhe motomjeti pa targa, të cilin ky shtetas e përdorte për këtë veprimtari kriminale. Në vijim të kontrolleve që kryhen në të gjithë territorin e qarkut, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli 2”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në aksin rrugor Lezhë-Milot, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një motomjeti, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por ka vazhduar me shpejtësi lëvizjen në drejtim të qytetit të Lezhës.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. N., është kapur dhe vënë në pranga. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në doza.
Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se ky shtetas nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për motomjetin që përdorte për këtë veprimtari kriminale. Motomjeti pa targa dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi E. N., 19 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./ZËRI