
KORÇË- Gjykata e Korçës ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish-shefin e policisë Stiljan Pasho, i arrestuar tre ditë më parë nën akuzën se lejoi kalimin pa kontroll të një makine me drogë.
Pasho u vu në pranga në datën 30 Nëntor, me urdhër të Prokurorisë së Korçës, në bashkëpunim me Agjensinë e Mbikqyrjes policore. Përmes pamjeve filmike, është dokumentuar që Pasho iu ka kërkuar vartësve të tij, që të mos kontrollinin një makinë, në të cilën gjendej një sasi prej 26 kilogramësh kanabis, që kishte si destinacion Greqinë.
Avokati i tij Nevzat Tarelli është shprehur se i mbrojturi prej tij nuk ka pasur dijeni se automjeti me të cilin ka udhëtuar rastësisht nga Korça drejt pikës së kalimit kufitar të Kapshticës të ketë patur lëndë narkotike, ndaj e për këtë avokati i ka kërkuar gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë.
Sipas Tarellit nuk është e vërtetë se kryekomisari Stiljan Pasho të ketë udhëtuar herë të tjera me shoferin e automjetit ku u kap lënda narkotike.
Duke shfrytëzuar postin që mbante, Pasho ka ndihmuar shtetasin Lorenc Lika për të kryer aktivitetin kriminal.
Pasho pas arrestimit u shkarkua nga detyra që mbante si shef i drejtorisë së kufirit për qarkun e Korçës.
Vetë Pasho kishte hipur në makinën tip "Passat" që Lika ti shpëtonte skanimit të automjetit. Ai ishte ulur në vendin e parë. Kështu që bashkë me Likën, kanë kaluar edhe 26 kg kanabis që kishte destinacion Greqinë.
Nga deklarimet e punonjësve të P.K.K Kapshticë rezulton se ata kanë pranuar se kanë qenë nën presion nga kryekomisari për të mos kontrolluar mjetin që drejtohej nga Lika.
Është duke u hetuar nëse ka pasur raste të tjera, kur Pasho mund të ketë ndihmuar Likën në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.
/ZËRI