Aktualitet

Akuzohet për trafik droge, përjashtohet nga Policia e Shtetit Kryekomisar Stiljan Pasho

Policia bën me dije se Kryekomisar Stiljan Pasho është përjashtuar pas arrestimit të tij, pasi akuzohet për trafik droge drejt Greqisë. 

E.K
Akuzohet për trafik droge, përjashtohet nga Policia e Shtetit
Stiljan Pasho.

TIRANË- Ish-Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit dhe Emigracionit në Korçë Stiljan Pasho është përjashtuar këtë të premte nga Policia e Shtetit me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku. Përmes një njoftimi për mediat, Policia bën me dije se Kryekomisar Stiljan Pasho është përjashtuar pas arrestimit të tij, pasi akuzohet për trafik droge drejt Greqisë. 

Stiljan Pasho u arrestu një ditë më parë nga agjentët e Agjensisë së Mbikqyerjes Policore pasi akuzohet se është i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. 53-vjeçari, një prej efektivëve me hierarkinë më të lartë në drejtorinë e Policisë së Korçës, 3 ditë më parë ka favorizuar një person që të kalonte drogë me makinën e tij. Personi në fjalë është identifikuar si Lorenco Lika. Ai ka kaluar kufirin e Kapshticës pa iu nënshtruar kontrollit kufitar. Vetë Pasho kishte hipur në makinën tip "Passat" që Lika ti shpëtonte skanimit të automjetit. Ai ishte ulur në vendin e parë. Kështu që bashkë me Likën, kanë kaluar edhe 26 kg kanabis që kishte destinacion Greqinë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, pas hetimeve paraprake të kryera, i ka propozuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili e ka miratuar menjëherë, përjashtimin e punonjësit të Policisë, Kryekomisar Stiljan Pasho, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Përjashtimi i menjëhershëm i tij u bë për shkelje të rëndë disiplinore të rregullores së Policisë së Shtetit, parashikuar nga neni 208 “Rastet e veprimeve korruptive”, pika 3 “Përdor pozitën e tij si punonjës i Policisë, për interesa private për vete ose për të tjerët’”, dhe nga neni 209 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të Policisë”, pika 1 “Pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.

Më datë 30.11.2023, Drejtoria Rajonale e AMP-së Elbasan–Korçë ndaloi punonjësin e Policisë Kryekomisar Stiljan Pasho, në kuadër të një procedimi penal të referuar nga Sektori i AMP-së, Korçë, për veprën “Trafikim i narkotikëve”.

Konkretisht, nga hetimet rezulton se Kryekomisar Stiljan Pasho, me veprime konkrete dhe të drejtperdrejta, si dhe duke përdorur detyrën e tij ne DVKM Korçë, në intervale të ndryshme, ka ndihmuar shtetasin L. L., të kalojë kufirin në PKK Kapshticë, pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjetin e tij, dhe ka urdhëruar dhe vartësit e tij që të mos ushtrojnë kontroll. Policia e Shteti mbetet e vendosur që në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me qytetarët, të largojë nga rradhët e saj, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën apo përfshihet në veprimtari kriminale.

Poll

MOS HUMB