VLORË - Policia e Vlorës në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” ka arrestuar Alfred Ndojin, i akuzuar për pengmarrje dhe plagosje. Ndoji, në bashkëpunim me djemtë e tij, Aleksandër dhe Anton Ndoji, si dhe të vëllanë Pjetër Ndoji, dyshohet se në janar të këtij viti kanë marrë peng e kanë dhunuar Gentian Omerin. Bashkëpunëtorët ishin arrestuar, ndërsa Alfred Ndoji, i shpallur në kërkim për ngjarjen, u prangos ditën e sotme.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë
Vijon operacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Bashkëpunëtor për pengmarrjen e një shtetasi dhe për plagosjen e tij me sende të forta, ndalohet 40-vjeçari i shpallur në kërkim.
Ndalimi i 40-vjeçarit, rezultat i koordinimit të informacioneve dhe bashkëpunimit ndërmjet Sektorit kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës të DVP Vlorë dhe Policisë së Lezhës.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Pengmarrja”, të zhvilluar nga Policia e Vlorës, më datë 19.01.2023, si dhe i shkëmbimit të tyre me shërbimet e Policisë së Lezhës, u bë i mundur, në kuadër të operacionit policor kombëtar “Sundimi i ligjit”, ndalimi i shtetasit A. N., 40 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë i ka caktuar 40-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim.
Përmbledhja e rastit: Më datë 19.01.2023, shtetasi A. N. dhe 4 shtetas të tjerë (të arrestuar nga Policia e Vlorës, gjatë operacionit “Pengmarrja”), për motive të dobëta, kanë mbajtur me forcë, në automjet, shtetasin G. O., e kanë plagosur atë rëndë, me sende të forta, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja, në rrugë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Çfarë ndodhi në janar 2023?
Ngacmimi dhe lidhja me një grua të martuar duket se është bërë shkak për marrjen peng dhe plagosjen e 39-vjeçarit Gentian Omeri. Ai u sulmua me makinë, rreth orës 01:00 të natës, kur po udhëtonte me automjet nga Konispoli në drejtim të Tiranës. Alfred Ndoji bashkëpunoi në këtë pengmarrje me vëllanë, Astritin dhe dy djemtë e tij. Gentian Omeri dyshohet se i ngacmonte vajzën Ndojit dhe kishte krijuar lidhje intime jashtëmartesore me të.
Më datë 19 janar, Astrit Ndoji përplasi me makinë Gentian Omerin, që ta nxirrte nga rruga dhe ta merrte peng, në bashkëpunim me Pjetër Ndojin, Aleksandër Ndojin, Anton Ndojin dhe Alfred Ndojin. Për shkak të përplasjes, automjeti i Omerit përfundoi në kanal. Pas kësaj, të dyshuarit e morën Gentianin dhe e futën në bagazhin e makinës së tyre. Më pas e dërguan në fshatin Xarrë të Sarandës, ku e plagosën rëndë. Omeri u la në rrugë pa ndjenja, me dhëmbët dhe gishtërinjtë e thyer. Një telefonatë në polici, bëri që forcat blu të angazhohen për rastin, duke prangosur 4 të dyshuarit./Zëri.ai/