Aktualitet

Gjendet një predhë në qendër të Klosit, policia rrethon zonën

Predha dyshohet se i përket vitit 1997, ku shumë armë dhe municione ranë në duart e qytetarëve

E.K
Gjendet një predhë në qendër të Klosit, policia rrethon
Foto ilustruese

KLOS- Një predhë është gjetur mëngjesin e kësaj të diele në qendër të qytetit të Klosit. Predha është zbuluar teksa disa punëtorë po gërmonin për hapjen e një themeli për ndërtimin e një muri pranë një banese.

Predha luftarake është konstatuar pasi është zbuluar nga dheu dhe nga verifikimet paraprake dyshohet të jetë e pa shpërthyer pasi ka ende djegoren në të.

Menjëherë është lajmëruar policia e cila ka rrethuar zonën në mënyrë që të mos preket predha nga askush. Po ashtu, mësohet se është njoftuar Ministria e Mbrojtjes e cila pritet të dërgojë grupin e xhenios që të bëjë të mundur zhvendosjen e predhës luftarake, ndërsa do të kontrollohet vendi nëse ka predha të tjera.

Dyshimet e para janë që predha të jetë aty që prej vitit 1997, kur një nga tunelet që mbante armatime luftarake në vendin e quajtur “Ish pazari i vjetër”, shpërtheu.

Gjatë shpërthimit të municionit luftarak në atë kohë shumë predha u zhvendosën në zonën përreth, që përfshin edhe qytetin e Klosit pasi ka një distancë të afërt me të.

/Zëri

Poll

MOS HUMB