Aktualitet

Kaloi makinën me 26 kg drogë/ Arrestohet për trafik droge kryekomisari Stiljan Pasho

53-vjeçari, një prej efektivëve me hierarkinë më të lartë në drejtorinë e Policisë së Korçës, 3 ditë më parë ka favorizuar një person që të kalonte drogë me makinën e tij.

k.m.
Kaloi makinën me 26 kg drogë/ Arrestohet për trafik droge
Foto ilustruese

TIRANË- Kryekomisari Stiljan Pasho është vendosur në pranga nga agjentët e AMP-së. Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit dhe Emigracionit në Korçë Stiljan Pasho është arrestuar nga Agjencia për Mbikëqyrjen Policore pasi akuzohet se është i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. 53-vjeçari, një prej efektivëve me hierarkinë më të lartë në drejtorinë e Policisë së Korçës, 3 ditë më parë ka favorizuar një person që të kalonte drogë me makinën e tij. Personi në fjalë është identifikuar si Lorenco Lika. Ai ka kaluar kufirin e Kapshticës pa iu nënshtruar kontrollit kufitar. Vetë Pasho kishte hipur në makinën tip "Passat" që Lika ti shpëtonte skanimit të automjetit. Ai ishte ulur në vendin e parë. Kështu që bashkë me Likën, kanë kaluar edhe 26 kg kanabis që kishte destinacion Greqinë. 

Kaloi makinën me 26 kg drogë/ Arrestohet për trafik droge
Stiljan Pasho

NJOFTIMI I AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Korcë-Elbasan) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës Së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për ndalimin e punonjësit të policisë Kryekomisar S. P., 53 vjec, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit pranë DVKM Korçë. Ndalimi i tij u krye kuadër të hetimeve të Procedimit Penal të vitit 2023, referuar nga Sektori i AMP Korçë, regjistruar per veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve“. Nga veprimet hetimore të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës Së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, rezulton e provuar se Kryekomisar S. P., me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në DVKM Korçë, në intervale të ndryshme kohore dhe në datë 27.11.2023 ka favorizuar shtetasin L.L. të kalojë kufirin në PKK Kashticë pa ju nënshtruar kontrollit kufitar në automjetin e tij, si dhe duke urdhëruar vartesit e tij për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e këtij shtetasi. ë lidhje me këtë procedim penal është bashkëpunuar ngushtësisht edhe me homologët e policisë Greke nëpërmjet Pikës së Bashkëpunimit Policor Greqi–Shqipëri, ku si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur kapja e 26 kg lëndë narkotike në shtetin Grek. Hetimet në kuadër të këtij procedimi vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet të paligjshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

Lidhur me arrestimin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili përgëzoi agjensitë ligjzbatuese për prangosjen e kryekomisarit, duke premtuar gjithashtu se aksioni i nisur do të vazhdojë edhe në goditjen e rasteve të tjera të ngjashme. 

"Kur unë mora detyrën u shpreha se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sapo është ndaluar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore një Kryekomisar, me detyrë Shefi i Sektorit te Sherbimeve te Kufirit ne Drejtorine Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për pëfshirje në “Trafikim të narkotikëve”. Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë. Shpreh besimin se drejtimi i ri AMP dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencive e tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do ta intensifikojnë procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Përgëzime dhe vetëm përpara!,"-shkruan Balla në postimin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB