
TIRANË- Një tjetër fasoneri në Sauk ka 50 punonjëse dhe të gjitha prej dy muajsh e gjysmë nuk i kanë marrë pagat. Njëra prej punonjëseve, nisur nga misioni i ZËRI-t për të qenë sa më pranë tyre, kontaktoi me redaksinë dhe na vuri në dijeni të situatës.
“Jemi në Sauk, pamë videon që kishin postuar. Kemi dy muaj pa marrë pagat dhe kemi vendosur të kërkojmë pagat tona. Siguracionet nuk na janë paguar që nga muaji shtator. Pronari e mbylli firmën dhe iku,”- shkruan gruaja në fjalë.
E njëjta punonjëse, gjatë bisedave që ka zhvilluar me gazetarët e ZËRI-t ka pranuar se sigurimet shoqërore nuk ua kanë paguar që prej muajit shtator të vitit të kaluar, ndërsa pronari italian e ka mbyllur firmën dhe është zhdukur pa gjurmë. Ndaj dhe ato janë mbledhur të gjitha bashkë dhe kanë vendosur të bëjnë një apel publik duke kërkuar pagat e tyre dhe marrjen e masave ndaj fasonerisë ku punojnë.
Ky është rasti i dytë që denoncohet në redaksinë e ZËRI-t.
Gazetari i ZËRI-t, Edon Kuqi mësyu në ambientet e fasonerisë ‘’Sinless Confezioni” me administrator shtetasin italian Franceso Peluso në Tiranë, ku punonjëset kishin dy muaj pa marrë pagat. Punonjëset në sinkron të plotë me njëra-tjetrën kishin bojkotuar punën dhe nisur “revoltën” e tyre.
ZËRI ndoqi hap pas hapi procesin e firmosjes së marrëveshjes, tashmë noteriale ku biznesmeni italian Peluso u paraqit në zyrën e noterit Dritan Gjana pranë ish-Ekspozitës dhe firmosi në prani dhe të një përfaqësie punonjësesh. Ndërkohë u ra dokort që më datë 15 prill, “Sinless Confezioni” të kalojë në llogaritë e punonjëseve pagën e muajit shkurt. Për mbajtjen e këtij zotimi, tashmë ligjor ZËRI do jetë sërish këtu, për ta ndjekur hap pas hapi.
Misioni VAZHDON…./ZËRI