Sektori i ndërtimit po përballet me një rritje të ndjeshme të ekspozimit ndaj borxhit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e kompanive kanë detyrime të barabarta ose më të larta se kapitali i tyre.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërise në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit rreth 27% e ndërmarrjeve të ndërtimit deklaruan se raporti i huasë ndaj kapitalit ishte i barabartë ose mbi nivelin 1.
Banka e Shqipërisë vëren se kjo shifër është rritur me rreth 10 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë, duke e renditur ndërtimin si sektorin me ngarkesën më të lartë të huasë në raport me kapitalin.

Niveli i lartë i financimit përmes huasë lidhet me natyrën e projekteve të ndërtimit, të cilat kërkojnë kosto të konsiderueshme që në fazat e para dhe për rrjedhojë edhe financime të mëdha.
Rritja e borxhit nuk përbën domosdoshmërisht problem në një treg ku shitjet vijojnë me ritme të mira. Por një ngadalësim i kërkesës dhe i shitjeve mund t’i vendosë kompanitë me ekspozim të lartë financiar përballë vështirësive në shlyerjen e detyrimeve.
Gjatë muajve të fundit, kompanitë e ndërtimit kanë raportuar sinjale për ngadalësim të shitjeve të apartamenteve. Disa prej ndërtuesve kanë deklaruar se tregu po përjeton një situatë të vështirë, ndërsa sektori është prekur edhe nga aksionet e SPAK ndaj disa kompanive të mëdha të ndërtimit.
Rritja e huasë ndaj kapitalit përbën një element që monitorohet edhe nga sektori bankar, pasi një përkeqësim i situatës financiare të kompanive me levë të lartë mund të shtojë ekspozimin ndaj rrezikut të kredive./Kapitali