ELBASAN- Tensione, kundërshtime dhe përplasje fizike shoqëruan mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Elbasanit ku në fund u miratua propozimi për riorganizimin administrativo-territorial të qarkut.
Në momentet para votimit këshilltari i mandatuar nga PSD Erion Murataj kundërshtoi në mënyrë të prerë reformën dhe ndërhyri te aparaturat elektronike të sallës duke fikur disa prej tyre.
View this post on Instagram
Situata u tensionua më tej me largimin nga mbledhja të tetë këshilltarëve të Partisë Demokratike dhe një këshilltari të Partisë së Lirisë. Pavarësisht kundërshtimeve mbledhja vijoi dhe propozimi u hodh në votim.
Këshilli Bashkiak e miratoi me 26 vota pro dhe 2 kundër variantin që parashikon bashkimin e Bashkisë Elbasan me bashkitë Cërrik dhe Belsh.
Vendimmarrja erdhi pas dëgjesave publike, ku morën pjesë 589 qytetarë. Sipas të dhënave të paraqitura gjatë mbledhjes, 516 prej tyre u shprehën pro këtij varianti.
Ndërkohë, grupi i opozitës kundërshtoi bashkimin e tri bashkive ekzistuese duke mbrojtur ruajtjen e tyre dhe propozuar krijimin e dy njësive të reja vendore, Bradashesh dhe Shpat. Sipas tyre, ky model do të garantonte decentralizimin dhe afërsinë e shërbimeve me qytetarët.
Me votimin e Këshillit Bashkiak të Elbasanit propozimi për riorganizimin e qarkut merr tashmë një tjetër hap institucional ndërsa mbledhja u karakterizua nga përplasjet mes këshilltarëve dhe kundërshtimet ndaj reformës./ZËRI