Aktualitet

Belgjika e kërkonte me 'qiri' për trafik droge, arrestohet në Itali shqiptari, anëtarët e bandës vlonjatë

Sipas hetimeve, anëtarët e bandës kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin dhe të gjithë vijnë nga Vlora. Një lloj mafie shqiptare që merret me gjithçka që lidhet me kokainën, nga importi tek prerja, tek riciklimi dhe më në fund tek trafiku i armëve.

E.K
Belgjika e kërkonte me 'qiri' për trafik droge, arrestohet
Policia italiane

ITALI- Një 42-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije është vënë këtë të enjte në prangat e Policisë italiane pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një bande që merrej me trafikimin e drogës. Mediat italiane shkruajnë se Belgjika kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj tij. Sipas autoriteteve, në kuadër të operacioneve të zhvilluara nga policia belge, iu sekuestruan 100 kilogramë kokainë dhe Speed ​​(përzierje kafeine dhe amfetamine) dhe 265 mijë euro cash.

Po ashtu, gjetën armë, uniforma të policisë holandeze, jelek antiplumb dhe substanca kimike, duke demonstruar më tej rrezikshmërinë dhe përgatitjen e bandës. Në total, operacioni pati 17 arrestime, 11 prej të cilave në Belgjikë dhe 6 në vende të tjera. Dy persona të tjerë të dyshuar se i përkisnin të njëjtit grup u bllokuan në Toskanë. Në veçanti, emrat e 17 të dyshuarve figurojnë në dy dosje, një nga policia federale belge dhe një nga policia lokale e Antëerp.

Sipas hetimeve, anëtarët e bandës kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin dhe të gjithë vijnë nga Vlora. Një lloj mafie shqiptare që merret me gjithçka që lidhet me kokainën, nga importi tek prerja, tek riciklimi dhe më në fund tek trafiku i armëve. Ndër veprimet që i atribuohen bandës, ka edhe episode të dhunshme të lidhura me kriminelë të përshkruar nga prokurorët belgë si veçanërisht të rrezikshëm dhe të vendosur.

Emrat e të arrestuarve nuk janë emra të panjohur për Policinë. Në vitin 2014, krerët e bandës tashmë ishin dënuar me burgim nga 10 deri në 12 vite, të tjerët me role të vogla kishin marrë dënime nga 3 deri në 7 vjet. Por edhe kështu ata nuk u dekurajuan dhe përkundrazi vazhduan rrugën e tyre kriminale.

Prokuroria belge tashmë ka pasur mundësinë ta përcaktojë këtë operacion si rezultat i bashkëpunimit intensiv me Europolin dhe me forcat e huaja policore të shtrira në Gjermani, Francë, Holandë dhe Itali. Prokuroria shprehu shqetësimin për këtë klan shqiptar që tashmë është i aftë të degëzohet në mbarë botën. Kjo, jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Qendrore dhe Jugore./ZËRI

Poll

MOS HUMB