Aktualitet

AFERA BANKERS/ Bolv Oil, Alb Star e Phoenix, kush janë përfituesit e parave që duhet të ishin në arkën e shtetit

Tani që Prokuroria e Fierit ka ngritur zyrtarisht aktakuzat për mashtrim me TVSH-në, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash – është koha të hetohet jo vetëm “Bankers”, por edhe ata që përfituan përmes saj.

k.m.
AFERA BANKERS/ Bolv Oil, Alb Star e Phoenix, kush janë përfituesit e
Bankers Petroleum

TIRANË- Skandali i “Bankers Petroleum” është kthyer në një "manual" zhvatjeje të shtetit. Kjo kompani për 2 dekada shiti 532 mld lekë naftë, ndërsa shtetit i ka paguar "plot" asnjë qindarkë në taksa. Kështu është kthyer në skemën më të hapur të fshehjes të të ardhurave dhe të zhvatjes së shtetit dhe aseteve kombëtare. Ndërsa hetimet për të gjetur përgjegjësit ende vazhdojnë, duket se "shenjat" e abuzimit ishin thënë prej kohësh...

Që në vitin 2018, në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, shkruhej se Bankers nuk po derdhte tatime në buxhetin e shtetit. Edhe atëherë ishte e qartë se kompania deklaronte shpenzime të fryra dhe deri në atë kohë kishte shmangur pagesën e 60 milionë dollarëve tatim mbi fitim. Kompania fshihej pas pretendimeve se dilte me humbje. Por këtë gjë nuk e kishte konstatuar as AKBN dhe as Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. 

Por kush janë përfituesit?

Ndër vite, nëpërmjet kontratave nënkontraktuese, miliona euro kanë kaluar tek Simmons, Phoenix, "Albstar" e Idajet Ismailajt, "Bolv Oil" në pronësi të Behar Çukajt, Q.Sinaj, Western Atlas, Smape, etj. Në vitin 2016, në median "BIRN" u publikuan raportet e ekspertëve që kishin kontrolluar shpenzimet e Bankers, duke listuar kështu përfituesit kryesore dhe shkeljet e bëra nga kompania, të cilat u mohuan kategorikisht teksa vit pas viti pretendonin se kishin humbje. 

KOMPANITË DHE ABUZIMET

Crosco

Crosko është një kompani kroate e cila ofron shërbime shpimi. Ajo e fitoi kontratën me një tender në prill 2009 dhe vetëm për vitin 2011 u pagua 17.2 milionë dollarë. Por në vitin 2011, kontrata me Crosco u shtua në volum dhe kjo u bë pa tender tjetër. Bankers deklaroi para ekspertëve se në atë kohë nuk besonte se një tender do të sillte çmime më të ulëta.

Phoenix

Phoenix është një kompani tjetër shpimesh. Ajo fitoi fillimisht një kontratë në vitin 2008 përmes një procesi tenderimi, por vijoi punën pasi kontrata fillestare përfundoi dhe Bankers argumenton se kjo qe zgjidhja më e mirë në atë kohë. AKBN argumenton se kostot e kësaj kompanie, 16.9 milionë dollarë vetëm në vitin 2011, nuk duhet të njihen për shkak se u përfituan pa garë. AKBN hedh poshtë pretendimin e Bankers për vijimin e punës me këtë kompani duke argumentuar se programi i shpimeve të kësaj kompanie në vitin 2011 qe shumë më i madh se sa në vitin 2008 dhe se rrjedhimisht, edhe interesi i kompanive të tjera mund të qe i lartë në rast se do të zhvillohej një tender.

Albstar

Kontratat e Bankers me kompaninë shqiptare Albstar, e cila ofron punime civile si rrugë etj., ishte më e debatueshmja. Albstar nisi të punojë me Bankers fillimisht në vitin 2004 me një kontratë 15 mujore, e cila u zgjat në vijimësi. Bankers u justifikua me faktin se nuk kishte arsye që të ndryshonte kompani për shkak se aktualja kishte eksperiencë. Por fakti që punimet civile nuk konsiderohen si punime specifike të naftës bëri që AKBN ta rrëzojë pretendimin me argumentimin se në Shqipëri ka 1,951 kompani ndërtimi dhe vetëm në qarkun e Fierit ka 111 kompani të tilla.

Bolv-Oil

Kompania e transportit të naftës Bolv-Oil ka punuar me Bankers që nga viti 2008 fillimisht si fituese tenderi dhe më pas, me zgjatje kontrate vazhdimisht. Bankers pretendon se kjo qe zgjidhja më ekonomike për të. Vetëm gjatë vitit 2011, kontrata e kompanisë me Bankers qe me vlerën 10.1 milionë dollarë.

Tea-Co është një kompani tjetër transporti që fitoi një kontratë trevjeçare në vitin 2008, në bazë të konkluzionit të një tenderi të zhvilluar që në vitin 2005. Bankers pretendon se kontrata me të qe për shkak se nuk ishin në gjendje të identifikonte operatorë të tjerë në treg të aftë për të ofruar kamionë me vakum. AKBN i hedh poshtë këto pretendime duke argumentuar se Bankers nuk ka asnjë provë për zhvillimin e një tenderi dhe se i vetmi dokument për këtë kompani është një memorandum i brendshëm.

Q.Sinaj

Kompania Q.Sinaj ofron shërbime transporti lëngjesh të tilla si heqja e ujit të ndotur, kamionë me presion dhe transportim me tanker. Kjo kompania ka punuar me Bankers që nga viti 2004, fillimisht me një kontratë gjashtëmujore ndërsa kontrata u shty vazhdimisht. Bankers pretendon se kjo kompani ka marrë pjesë në një tender në vitin 2008 ku humbi, ndërsa një tender në vitin 2009, u konfirmua fituese krahas Bolv-Oil. 

Western Atlas

Kjo është një kompani tjetër, e cila ofron shërbime elektrike dhe shërbime shpimi me përdorim eksplozivësh. Ajo filloi të punojë për Bankers në vitin 2008 pas një tenderi për “shërbime të ndryshme në fushën e naftës”. Bankers pretendonte se puna e kësaj kompanie është tepër teknike dhe se ajo beson se kjo është kompania e vetme e aftë për punë të tilla në Shqipëri. AKBN nuk ishte e aftë ta vërtetonte këtë pretendim.

Smape

Smape është një kompani që ofron shërbime tubash të gjatë. Bankers filloi të përdorte shërbimet e kësaj kompanie më 2011, fillimisht në shkallë të vogël në formë testi, por kostoja e kontratës u rrit në mënyrë të papritur në 2 milionë dollarë. Më pas, kompania mori pjesë në një tender dhe e fitoi. AKBN thotë se në fakt Bankers kishte për detyrë që të kryente tender që në fillim dhe argumenton se nuk kishte arsye që kontrata të ofrohej fillimisht pa tender.

Edhe pse kishte kompani të tjera, edhe pse duhet të bënin tendera, sërish dukej sikur Bankers kishte krijuar realitetin dhe rregullat e saj të lojës. Pak nga pak, thuri një skemë perfekte për të fituar sa më shumë. Deri më tani Prokuroria ka arritur që të zbulojë se shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, pra nga të lartpërmendurit.

Por ka diçka që nuk është zbuluar ende pas 20 vitesh mashtrim! Ku janë paratë? Ku kanë përfunduar të ardhurat që duhet të ishin në buxhetin e shtetit për të ndërtuar rrugë, shkolla, spitale, për të rritur pensionet? Në cilat llogari kanë përfunduar? Si janë konvertuar? Në pasuri të paluajtshme, apo kanë gjetur një tjetër mënyrë për t'i futur në treg dhe për ti pastruar nga gjurmët e naftës së nëntokës shqiptare? 

Nuk janë pak para! Bëhet fjalë për një kompani që nxori 532 miliardë lekë naftë dhe s'ka paguar asgjë! Tashmë "topi" është tek drejtësia, e cila duhet të shpojë thellë nëntokë për të gjetur paratë./ZËRI

Poll

MOS HUMB