
ELBASAN-Vazhdon për të katërtën ditë radhazi zjarri në landfillin e Elbasanit! Vatra vijon të jetë aktive në vendgrumbullimin e mbetjeve pranë Inceneratorit të Elbasanit, ndërkohë që në të gjithë zonën dhe qytetin vijon të çlirohet tymi toksik nga djegia e pakontrolluar e mbetjeve urbane.
Edhe pse në terren po operohet me mjete të shtuara dhe ndërhyrje nga ajri, ende nuk kanë mundur që t'i vendosin nën kontroll flakët. Ndërkohë, mijëra banorë që jetojnë në Elbasan ankohen për ndotjen e ajrit dhe erën e rëndë të shkaktuar nga djegia e mbeturinave. Qytetarët kanë dalë në një protestë për katastrofën mjedisore që po ndodh në qytetin e tyre. Banorët fillimisht u mblodhën pranë Prokurorisë së Elbasanit dhe më pas marshuan drejt Bashkisë së qytetit.
Ata kërkuan përgjegjësi nga institucionet për menaxhimin e kësaj krize dhe për masat që duhen marrë për të parandaluar rrezikun që zjarri i mbetjeve po i sjell shëndetit publik dhe mjedisit. Një nga qytetarët shprehet se institucionet duhet t’i vënë në dijeni njerëzit nëse kemi të bëjmë më një zjarrvënie të qëllimshme apo për shkaqe atmosferike.
“Të gjitha institucionet të marrin përgjegjësi për tymin toksik që çlirohet nga djegia e fushës së mbetjeve. Duhet Prokuroria të ndërhynte dhe të kishte një hetim më të shpejtë, të paktën t’ua bëjnë me dije qytetarëve nëse kemi të bëjmë më një zjarrvënie të qëllimshme apo për shkaqe atmosferike të temperaturave. Kjo është thirrja jonë si qytetarë që ne nuk duhet të thithim më tym dhe Prokuroria duhet të bëjë punën e saj sa i përket vënies përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës”, u shpreh një protestues i Elbasanit.

Shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta, ndërsa Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin mbi rrethanat e ngjarjes. Prej vitesh, situata në këtë landfill është problematike dhe plehrave shpesh u vihet flaka. Inceneratori i Elbasanit është jashtë funksionit, ndërsa rreth 50 mijë ton mbetje depozitohen çdo vit në këtë fushë, nga 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit.
Lidhur me landfillin, në mars të këtij viti, disa persona u morën në pyetje për inceneratorin e Elbasanit. Nga Prokuroria e Elbasanit u shoqëruan për t'u marrë në pyetje 4 zyrtarë të kompanisë "Eco Elb". Po ashtu, nga zyrat e kompanisë janë sekuestruar edhe dokumente, por ende nuk ka të dhënë konkrete. Kompania "Eco Elb" u themelua në vitin 2021, pas sekuestrimit të inceneratorit të Elbasanit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por në ambientet e landgfillit ka pasur disa zjarrë, një në 2023 dhe një tjetër në nëntor të vitit 2024. Ndaj për këto incidente, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për 3 vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Ndotja e ajrit”./ZËRI