
TIRANË- Partia Demokratike dhe koalicioni PD-ADSHM i ka dërguar një tjetër kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Edhe kësaj herë, PD kërkon nga KQZ që t'i vendosë në dispozicion të gjitha pamjet filmike të qendrave të votimit. Por kërkon që pamjet t'u dërgohen pa shkëputje. Ndërsa edhe njëherë ka kërkuar informacion për kthimin e zarfeve të votave të diasporës, duke pyetur edhe njëherë nëse kthimi është bërë dorazi apo jashtë kanaleve të DHL.
"A ka pasur raste të mbërritjes së zarfeve me vota nga shtetas shqiptarë jashtë vendit, në mënyra alternative (dorazi në protokoll të KQZ, përmes postës tjetër të nënkontraktuar apo jo nga DHL, postës Shqiptare, posta të vendeve të tjera apo në rrugëve diplomatike), në çdo eventualitet jashtë kanaleve të DHL? Nëse po: Sa raste të tilla janë evidentuar për secilën nga kategoritë? Nga cilat shtete kanë ardhur këto zarfe? Cilat janë datat e mbërritjes së tyre në ambientet e KQZ-së?,"-janë disa nga kërkesat e opozitës.
KËRKESA E PARTISË DEMOKRATIKE:
Subjekti zgjedhor Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), paraqet pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) këtë kërkesë për informacion dhe dokumentacion zyrtar, në vijim të disa problematikave serioze e tëpër shqetësuese që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor të 11 majit 2025:
1. Mungesa e transparencës së plotë mbi pamjet filmike
Pavarësisht kërkesës zyrtare të dorëzuar që prej disa javësh për të vendosur në dispozicion të subjekteve zgjedhore pamjet filmike të plotta të gjitha Qendrave të Votimit (QV) në çdo qark, KQZ nuk ka ofruar ende akses të plotë dhe të pandërprerë mbi këto materiale. Përkundrazi, në mënyrë të përsëritur janë vërejtur këto shkelje:
-Shpërndarje e pjesshme e pamjeve filmike në mënyrë të çorganizuar dhe pa strukturë transparente;
-Prerje të videove, ku mungojnë pjesë kyçe si momenti i futjes së fletëve të votimit në kuti, apo procesi i numërimit, në shumë raste në total nuk janë filmime 12-orarësh sipas orarit të hapjes së Qendrave të Votimit, çka ngre dyshime serioze se këto prerje janë të qëllimshme;
-Mungesë totale e pamjeve për disa QV specifike.
2. Problematikë tepër shqetësuese mbi kthimin e votave të Diasporës
Në vijim të shqetësimeve publike dhe kërkesave tona të mëparshme, ngremë me forcë një problematikë tjetër, tepër shqetësuese lidhur me mungesën e informacionit zyrtar mbi kthimin e zarfeve të votimit nga diaspora në Shqipëri. Sipas informacionit aktual: KQZ dhe Operatori Postar kanë raportuar vetëm dërgimin e zarfeve jashtë, por nuk kanë ofruar asnjë dokumentim mbi kthimin e tyre në KQZ
Aktualisht, mungojnë:
-provat e dorëzimit me firmë të zarfeve të kthyera pranë KQZ-së, si dhe verifikimi i përputhjes së numrit të zarfeve të dërguara dhe të kthyera
- Në mungesë të këtyre elementëve thelbësorë, këto vota nuk mund të konsiderohe drejtpërdrejta dhe as të mbrojtura nga parimi i fshehtësisë, çka ngre dyshime serioze për vlefshmërinë dhe ndershmërinë e procesit të votimit jashtë vendit.
3. Kërkesë e ripërsëritur lidhur me dorëzimet jashtë kanaleve të DHL të votave të Diasporës
Rikujtojmë se kemi dorëzuar më parë kërkesë zyrtare për informacion mbi mbërritjen e zarfeve me vota nga diaspora jashtë kanalit zyrtar të përcaktuar (DHL), por KQZ nuk ka dhënë asnjë përgjigje deri më sot. Në këtë kuadër, përsërisim dhe ritheksojmë nevojën për informacion zyrtar lidhur me:
1. A ka pasur raste të mbërritjes së zarfeve me vota nga shtetas shqiptarë jashtë vendit, në mënyra alternative (dorazi në protokoll të KQZ, përmes postës tjetër të nënkontraktuar apo jo nga DHL, postës Shqiptare, posta të vendeve të tjera apo në rrugëve diplomatike), në çdo eventualitet jashtë kanaleve të DHL?
2. Nëse po: Sa raste të tilla janë evidentuar për secilën nga kategoritë? Nga cilat shtete kanë ardhur këto zarfe? Cilat janë datat e mbërritjes së tyre në ambientet e KQZ-së?
Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, ku sipas rezultateve zyrtare siguroi 50 mandate. Demokratët e kanë cilësuar procesin si një farsë elektorale, të shoqëruar me manipulime, presion mbi votuesit dhe përdorim të strukturave shtetërore për qëllime politike. Ndaj edhe kanë nisur një valë ankimimesh pranë të gjitha instancave të KQZ-së. Sipas opozitës, zgjedhjet duhet të konsiderohen të parregullta dhe të zhvillohen sërish parakohe dhe nën "kujdesin" e një qeverie teknike./ZËRI