
TIRANË- Mbetet e rëndë gjendja e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u godit dje me sende të forta, në dalje të kopshtit 31 në kryeqytet që ndodhet në zonën e ish-bllokut. Për shkak të hemoragjisë që ka pasur në kokë, avokati është futur në intubim nga mjekët e spitalit të Traumës dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm, për të parë nëse gjendja e tij do të ketë përmirësim.
Pas një pune intesive, policia e Tiranës arriti që të zbardhte dje dhunimin e avokatit, dhe të identifikonte si personat që e kryen aktin, por edhe personin që e kishte urdhëruar sulmin ndaj Mëngjesit.
Policia identifikoi si autorë të sulmit shtetasit: Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërkohë që porositësi i sulmit është shtetasi Dritan Nano, me të cilin avokati kishte një konflikt të hapur, lidhur me një pagesë që nuk i ishte dhënë nga ana e klientit të tij.
Njëri prej autorëve të dhunimit, shtetasi Dorian Alia u vetedorëzua dje në policinë e Tiranës, ndërkohë që vijon puna për kapjen e personave të tjerë, ndërsa blutë kanë dhënë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për çdo person që jep informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre. Edhe organizatori i sulmit, shtetasi Dritan Nano është ndaluar dje nga policia, dhe pritet ti komunikohet masa e arrestit.
Nëse do shpalleshin fajtor dhe dënoheshin nga gjykata e Tiranës për akuzën e “Vrasjes së funksionarëve Publikë” kryer në bashkëpunim por mbetur në tentativë, këta persona rrezikojnë një dënim nga 30 vite deri në burgim të përjetshëm.
Përplasja për pronën mes avokatit dhe Nanos ka nisur pasi ky i fundit nuk ka pranuar që të zbatojë kontratën e lidhur me Mëngjesin, edhe pse iu kishte mundësuar që të fitonin të drejtën në dy shkallë të drejtësisë.
Pasi kanë fituar pronën, një nga 8 trashëgimtarët nuk ka pranuar zbatojë kontratën. Ai që ka refuzuar të paguajë studion ligjore ka qenë Dritan Nano. Në të tilla kushte avokati ka kërkuar të respektohet kontrata që kishin lidhur duke hedhur në gjyq Nanon. Për pasojë të kontratës që kishin lidhur më herët, avokati Sokol Mëngjesi ka arritur që pronën e Nanos t’a bllokojë me përmbarim duke mos lejuar që t’a shisnin.
Dhe dyshohet që vetëm Dritan Nano nuk ka pranuar. I gjendur në këtë situata dyshohet se ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore dhe familjare duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte. Ata janë takuar përpara një muaji ku nuk ranë dakord që ta zgjidhnin çështjen me marrëveshje. Çështja për të cilën bëhet fjalë është një truall toke ku rezultojnë pronarë 8 anëtarët, ku momentalisht mbi këtë truall është ndërtuar një kullë, në zonën e liqenit.
Në raportimin paraprak të ngjarjes ditën e djeshme, nuk munguan politizimet e çështjes, për shkak se Mëngjesi është avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha. Por zbardhja e ngjarjes se sulmu ndaj Mëngjesit ishte kryer për shkak të detyrës së tij, por jo për rastin që ka pasur në ngarkim t ëish-kryeministrit të Shqipërisë.
/ZËRI