
TIRANË-Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, Policia e Tiranës shoqëron dy persona. Dy të shoqëruarit po merren në pyetje si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe autorët. Një prej tyre dyshohet se është vëllai i një prej autorëve të ngjarjes. Raportohet se ai po pyetet nga policia mbi të vëllain, për vendet ku ai frekuenton si dhe do kërkohet negociata me qëllim vetëdorzimin ne polici.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë kopshtit 31, në zonën e ish-Bllokut ku avokati sapo kishte çuar fëmijën. Agresorët të veshur me zeza dhe me kapele, i zunë pritë, teksa Sokol Mëngjesi po lëvizte në këmbë, në një zonë të frekuentuar nga shumë qytetarë e të mbuluar me kamera sigurie dhe e goditën disa herë në kokë duke e lënë pa ndjenja. Si pasojë e goditjeve avokati Sokol Mëngjesi ka pësuar dy fraktura pas koke dhe dëmtime te zona e ballit për shkak të dhunës së ushtuar ndaj tij. Po ashtu ai ka pësuar një hemorragji të vogël në tru. Gjendja e tij shëndetësore është rënduar dhe ndodhet në intubim./ZËRI