POLIÇAN- Artur Zotka, vëllai i kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotka është arrestuar sot nga Policia e Beratit. Arresti i tij është bërë pasi në mars të 2017, 55-vjeçari ishte dënuar me 16 muaj burg për “prodhim dhe shitje narkotikësh”. Ai është dënuar nga gjykata e Beratit në mars të 2017-ës, pasi në muajin shtator 2015, gjatë operacionit “Pronoviku”, në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar 9 kilogramë cannabis sativa.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, ndaluan shtetasin A. Z., 55 vjeç, banues në Poliçan. Gjykata e Beratit, me vendimin e datës 13.03.2017, e ka dënuar këtë shtetas, me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në muajin shtator 2015, gjatë operacionit “Pronoviku”, në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar 9 kilogramë cannabis sativa,”- njofton Policia.
Artur Zotkaj u arrestua mëngjesin e 18 shtatorit 2015, pasi në biznesin e tij u gjetën e sekuestruan nga policia 19 kg marjuanë. Bashkë me të në pranga përfunduan edhe Abedin Nurellari, Kreshnik Hysenbelli dhe Destared Allko. Vendimi i Gjykatës së Beratit, i datës 13.03.2017, e shpalli Zotkën fajtor duke e dënuar me 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Çështja u apelua në Gjykatën e Vlorës, e cila 3 muaj më parë vendosi për rikthimin në burg të vëllait të kryebashkiakut, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Por kur efektivët e Policisë shkuan në banesën e tij për ta rikthyer në burg, Zotka nuk ishte në shtëpi. Derisa sot u kap në një nga bizneset familjare në malin e Tomorrit./ZËRI