TIRANË- Pasditen e kësaj të mërkure është shënuar dita e 88-të e protestës qytetare, e cila vijon pas incidenteve të ndodhura në Zvërnec.
Si çdo ditë, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin drejt Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe duke bërë thirrje të ndryshme.
Protestuesit pritet të vijojnë tubimin përpara Kryeministrisë, ku qytetarë të ndryshëm do të mbajnë fjalime dhe do të shprehin qëndrimet e tyre.
Protesta ka bërë bashkë qytetarë nga kategori të ndryshme, të cilët vijojnë të kërkojnë ndryshime dhe reagim institucional për çështjet që kanë ngritur gjatë këtyre 88 ditëve.
Kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI