DURRËS-Ergys Agasi i shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSH është arrestuar në Durrës.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se Agasi u vendos në ndjeke nga forcat operacionale në Elbasan ndërsa arrestimi i tij u finalizua në zonën e Plepave, Durrës. Bashkë me Agasin në pranga është vendosur edhe ish-zyrtari i Policisë Uljan Shpataraku, i shpallur në kërkim disa ditë më parë.
Agasi akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Agasi bashkë me biznesmenin Ermal Beqiraj të arrestuar në Francë, akuzohen gjithashtu se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.
Biznesmenit Ergys Agasi iu sekuestruan në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompaninë EA Solution.