Aktualitet

Pasuritë e krimit do të ndahen përgjysmë: Anglia dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen historike

Sipas marrëveshjes, një pjesë e vlerës së pasurive do t'i mbetet Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër do t'i transferohet palës britanike, në përputhje me procedurat dhe marrëveshjet për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.

M.K.
Pasuritë e krimit do të ndahen përgjysmë: Anglia dhe
Ambasadori Abbot dhe kryeadministratorja e AAPSK Risena Xhaja

TIRANË- Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë nënshkruar një Marrëveshje për Ndarjen e Pasurive të konfiskuara nga krimi. Marrëveshja i hap rrugë ndarjes së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në kuadër të operacioneve kundër grupeve kriminale shqiptar me aktivitet në territorin britanik. Nënshkrimi i marrëveshjes është finalizuar më 6 gusht.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ka shpjeguar me anë të një njoftimi edhe mënyrën se si do të ndahen fondet e përfituara nga asetet e goditura gjatë hetimit. Sipas marrëveshjes, një pjesë e vlerës së pasurive do t'i mbetet Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër do t'i transferohet palës britanike, në përputhje me procedurat dhe marrëveshjet për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.

Çështja rikthen në vëmendje edhe gjurmimin e pasurive të grupeve kriminale shqiptare jashtë vendit, por edhe parave që dyshohet se janë investuar apo pastruar përmes blerjes së pasurive në Shqipëri. Ndërkohë, raste të tjera ku autoritetet e huaja kanë kërkuar kthimin apo ndarjen e pasurive të lidhura me aktivitetin kriminal mbeten ende në proces, përfshirë çështje të njohura për autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Njoftimi zyrtar i Agjencisë së Aseteve:
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje historike për ndarjen e pasurive pas përfundimit të një çështjeje të lidhur me drogën dhe rikuperimin e fondeve. Kjo shënon marrëveshjen e parë të këtij lloji në rajon dhe vendos një precedent të ri për bashkëpunimin ndërkombëtar në rikuperimin e pasurive dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Marrëveshja lidhet me një çështje penale të përfunduar për komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në juridiksionin e Anglisë dhe Uellsit. Pas përpjekjeve për rikuperimin e pasurive nga autoritetet britanike dhe shqiptare, të cilat punuan së bashku, të ardhurat nga krimi u identifikuan dhe u rikuperuan me sukses në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes, të ardhurat e rikuperuara nga kjo çështje do të ndahen në mënyrë të barabartë midis dy vendeve, duke u dhënë një mesazh të qartë kriminelëve se autoritetet britanike dhe shqiptare do të ndjekin të ardhurat e krimit të organizuar dhe do të punojnë përtej kufijve. Marrëveshja hap rrugën që pasuritë e sekuestruara të riinvestohen për të mirën sociale në të dy vendet.

Marrëveshja u miratua në një ceremoni zyrtare në Tiranë, më 13 korrik, ku morën pjesë Ambasadori i Madhërisë së Tij në Shqipëri, Nicholas Abbott, dhe znj. Risena Xhaja, Kryeadministratore e AAPSK-së.

Ajo është rezultat i muajve të bashkëpunimit të ngushtë midis autoriteteve britanike dhe shqiptare të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit, të mbështetur nga Ministria e Brendshme (Home Office), Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara e Shqipërisë (AAPSK)./ZËRI

Poll

MOS HUMB