SPANJË-Policia Kombëtare spanjolle ka arrestuar në Tarragona të Katalonjës shqiptarin Taulant Toma, 42 vjeç, i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane dhe i njohur si “magjistari i arratisjeve”, raportojnë mediat e huaja.
Policia njofton se në kohën e arrestimit Toma i njohur si 'magjistari i arratisjeve' bëri rezistencë të fortë. Shqiptari shoqërohej nga disa bashkatdhetarë që u përpoqën ta parandalonin arrestimin e tij, dhe njëri prej tyre madje sulmoi dhe plagosi një nga oficerët (ai është identifikuar, por ende nuk është arrestuar).
Një tjetër nga shoqëruesit iku nga vendi i arrestimit dhe gjatë arratisjes hodhi një pistoletë 'Sig Sauer' në disa shkurre, e cila u sekuestrua. Taulant Toma u arratis nga burgu i sigurisë së lartë në Opera të Milanos më 7 dhjetor 2025. Shqiptari preu hekurat e qelisë dhe më pas zbriti jashtë godinës me çarçafë të lidhur, për t’u zhdukur pa lënë gjurmë. Arratisja dyshohet se ndodhi gjatë ndërrimit të turnit të gardianëve.
View this post on Instagram
Sipas hetimeve, Toma kishte parashikuar edhe fazën e dytë të arratisjes: përdorimin e bishtave të fshesave të lidhur me shirit ngjitës për të krijuar një mjet “teleskopik” me grep, të cilin e përdori për të kapërcyer murin e jashtëm të burgut. Fotografi të siguruara nga hetuesit tregojnë se gjithçka ishte e organizuar në detaj. Madje, i dënuari kishte planifikuar të arratisej bashkë me shokun e qelisë, por ky i fundit u tërhoq në momentin e fundit.
Arratisja nga Opera është vetëm kapitulli i fundit në historinë e gjatë të tentativave spektakolare të Tomës. – Në vitin 2009, ai u arratis për herë të parë nga burgu i Ternit. – Më 2013, u largua nga burgu i Parmës së bashku me bashkatdhetarin Valentin Frrokaj, i cili më vonë u vra gjatë një grabitjeje. – Pas 40 ditësh kërkimi, Toma u arrestua në Belgjikë, por më pas arriti të zhdukej sërish, derisa u kap në vitin 2015. Rekordi i tij e ka bërë një nga të burgosurit më problematikë në Europë, ndërsa niveli i sigurisë rritet sa herë që ai transferohet./ZËRI


