GREQI-Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 53-vjeçar shqiptar ka vrarë me thikë gruan e tij dhe më pas ka tentuar ti japë fund jetës duke pirë benzinë. Mediat greke bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në zonën e Rodopeve, ku çifti Bujar e Esma Meço me origjinë nga Gramshi, prindër të tre fëmijëve, janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm brenda banesës së tyre.
Autoritetet u njoftuan nga njëri prej fëmijëve. Në momentet e para pas ngjarjes, vajza e madhe e familjes ka qenë ajo që ka njoftuar autoritetet greke, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë pas asaj që kishte ndodhur në banesë. Pas vrasjes së 44-vjeçares, Meço piu benzinë në tentativë për t’u vetëvrarë. Ai u dërgua në spital, ku po trajtohet dhe po merr ndihmën mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, në vitin 2022 mes çiftit ishte regjistruar një tjetër incident në Heraklion të Kretës. Gruaja kishte bërë kallëzim ndaj bashkëshortit për kërcënim, ndërsa ai ishte arrestuar dhe ishte dërguar përpara prokurorit kompetent.
Krimi i rëndë në familjen vjen pasi vetëm tre ditë më parë në 23 gusht, 48-vjeçari Altin Allmuça, qëlloi për vdekje me armë zjarri ish-partneren e tij dhe më pas u vetëvra. Ngjarja u regjistrua në Nea Smyrni./ZËRI
