
TIRANË- Një vit nga masakra me tre gra të vrara dhe plagosjen e tre të tjerave në Paskuqan dhe Kodër Kamëz, autori Dan Hutra akoma ngjall frikë. Edhe pse akoma nuk ka një vendim pas vrasjes së trefishtë në 1 mars të 2023, Hutra mendon ende lirinë. Në fillim të muajit janar të 2024, 40-vjeçari tentoi arratinë nga burgu i Fierit. Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar i burgosuri me potencial të lartë rrezikshmërie, Dan Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht: një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara. Plani i arratisë nuk u realizua.
Plani për arratisje dhe mungesa e një vendimi nga gjykata për krimin e tij makabër ka ngjallur frikë për Alketa Hysën, ish-bashkëshorten e tij, e cila u masakrua me thikë nga Dan Hutra gjatë ngjarjes tragjike të 1 marsit 2023, ku ky i fundit i vrau të motrën dhe kunatën e saj.
Alketa Hysa është larguar nga Shqipëria pasi ndihet e rrezikuar. Ajo kërkon që shteti të shtrëngojë masat pasi sipas saj Dan Hutra do të tentojë të arratiset sërish dhe ndihet e kërcënuar.
“Ai është shumë i rrezikshëm shteti ta shtrëngojë shumë, sepse ai do të bëjë sërish të njëjtën gjë. Nuk mund të rrinim akoma aty, të rrezikoheshim prapë. Ai do të vazhdojë të tentojë të arratiset derisa të ketë jetën. Ndihem e rrezikuar dhe e kërcënuar edhe këtu ku jam. Asnjë nga shteti nuk ka ardhur në shtëpinë tonë”, tha Alketa Hysa.
Si ndodhi masakra më 1 mars?
Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, e cila është shtatzënë, si dhe plagosi vetë Elenën e nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. Gjithashtu të plagosur mbetën Kujtime Hysën, nëna ish-bashkëshortes së tij si edhe Alketa Hysa.
Arratia e Dan Hutrës mori fund pas 7 orësh kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës. Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën tentativë që fatmirësisht dështoi. Madje kishte përgatitur edhe skenarin makabër për veten e tij. Kishte hapur një varr, atje ku do të fshihej për t’i shpëtuar Policisë
Krimet e mëparshme
Dan Hutra ishte një person me rekorde të pafundme kriminale në familje dhe në vitin 2007 rezulton se kishte vrarë me thikë, bashkëshorten e tij të parë, ngjarje e ndodhur në Kukës. Siç u raportua, ai goditi 2 herë me thikë në zemër bashkëshorten Dafina Havalja, në atë kohë vetëm 25 vjeçe. Por ky duket se nuk ishte veprimi i parë i dhunshëm që Dan Hutra kishte kryer brenda familjes. Pasi ai thuhet se para se të martohej me Dafina Havaljan, ai ishte dënuar për heqjen e lirisë së nënës dhe kunatës së tij dhe tentativën për përdhunimin e tyre, krime për të cilat thuhet se kreu vetëm 3 vite heqje lirie. Ndërsa u kthye sërish në qeli në vitin 2007 si vrasës i bashkëshortes së tij të parë, krim të cilin e pranoi edhe para gjykatës. Ai tha se ishte ai vrasësi i gruas së tij, Dafinës, për të cilën deklaroi se e kishte goditur me thikë pasi ishin grindur dhe se gjithçka e kishte bërë pa vetëdije./ZËRI