
TIRANË- Që rrjeti social “TikTok” është sensacion, kjo nuk është më e re. Për shkak të popullaritetit që ka në telefonat e çdo qytetari, edhe politikanët po e shohin si një dritare të re për të komunikuar me zgjedhësit e tyre. Të parët, siç ndodh gjithmonë, e testuan kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha, të dy rivalë edhe në rrjetet sociale.
Ashtu siç edhe pritej, kapën majat e audiencës, duke arritur shifra rekord për llojin e informacioneve që shpërndajnë. Por tashmë, pjesë e rrjetit duket se janë bërë edhe disa ministra të kabinetit të kryeministrit, që vetë numëron 96.1k follows dhe ka marrë më shumë se 1.2 milionë pëlqime. Më poshtë, se ai renditen ministrat e kabinetit, edhe pse jo të gjithë kanë zgjedhur që të jenë pjesë e kësaj platforme.
Ndër ata që duket se nuk i dedikojnë shumë kohë aplikacionit të argëtimit kanë Anila Denaj (45 followers, 592 likes); Albana Koçiu (46 followers, 273 likes); Arbjan Mazniku (20 followers, 39 likes). Si më rishtarja në rrjet, zv.kryeministrja Belinda Balluku ka siguruar 2017 followers dhe 4684 likes, e ndjekur më pas nga koleget e saj. “Mjedisi” i Mirela Kumbaro ka tërhequr 2912 followers duke i siguruar 42.2k likes, shifër që ia tejkalon vetëm ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Socialisti ka mbledhur 5668 followers dhe plot 61.6 likes.
Mirëpo edhe nga kabineti ndahen postuesit më “aktivë”, e një ndër to është Bora Muzhaqi. Si ministre e Rinisë, e ka nisur ndër të parat “aventurën” e saj në TikTok, duke grumbulluar 2232 followers dhe 58.5k likes.
Tashmë me profilin e ri si ministre e Arsimit, edhe Ogerta Manastirliu ka ndryshuar rrjedhën e postimeve, duke u shfaqur më e qeshur dhe me takime më spontane, siç janë ato me mikeshat, koleget apo edhe mësuesit e vjetër të gjimnazit. Megjithatë nuk ka shkuar dot më larg se 1631 followers dhe 33.4k likes.
Në të njëjtat ujra “vërtitet” edhe Elisa Spiropali me 1402 followers dhe 27.4 k likes, pavarësisht se së fundmi edhe ajo ka zgjedhur që të jetë më e lirshme, larg fjalimeve politike që duket se i ka rezervuar vetëm për takimet me strukturat. Ai që nuk pritej të ishte aq aktiv është ministri i ri. Blendi Gonxhja që nga koha kur ishte drejtori i DPSHTRR-së ka krijuar ‘fansat e tij’ të makinave retro që jo pak herë i nxirrte dhe në rrjetet e tij sociale. Mirëpo, nuk ka shkuar dot më shumë se 2309 followers dhe 53.9 k likes.
Mospërfillës ndaj rrjeteve dhe urave të reja të komunikimimit me qytetarët janë disa ministra. Nuk janë pak por 7 prej tyre kanë zgjedhur që t’u qëndrojnë metodave tradicionale të komunikimit, më së shumti në Facebook. Adea Pirdeni; Igli Hasani; Niko Peleshi; Ervin Mete; Ulsi Manja; Delina Ibrahimaj dhe Majlinda Dhuka duket se i qëndrojnë larg teknologjisë dhe invatives. Por sa do të munden, nuk e dimë. “TikTok” është një ‘pandemi’, ndaj edhe ata nuk do të rrinë shumë gjatë pa u infektuar…/ZËRI