Aktualitet

Zjarret në vend 'alarmojnë' Policinë: 29 të arrestuar në 6 javë, denonconi autorët

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas

F.I
Zjarret në vend 'alarmojnë' Policinë: 29 të
pamje nga zjarri në Fier

TIRANË-29 persona janë arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut. Policia e shtetit me anë të një njoftimi zyrtar raporton se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, të dyshuar si autorë të 3 zjarrvënieve në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.

Këta shtetas kanë ndezur zjarr në sipërfaqe toke në pronësi të tyre, duke shkaktuar djegie të kullotave dhe pemëve të zonave përreth.

Njoftimi i policisë:

29 autorë të zjarrvënieve të arrestuar/ proceduar në qershor dhe në dy javët e para të korrikut.

Vijojnë masat në terren dhe hetimet për parandalimin e zjarrvënieve, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që ndezin apo tentojnë të ndezin zjarre, duke dëmtuar sipërfaqe toke, bimësinë, pemëtarinë, pronën, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, të dyshuar si autorë të 3 zjarrvënieve në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.

Gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të muajit korrik 2026, janë arrestuar/ proceduar 29 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.

Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe veprimeve operacionale të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në qarqe, me objektiv vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, u identifikuan 3 autorë të dyshuar në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.

Konkretisht:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan shtetasin S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, u dëmtuan kullota në këtë fshat dhe 300 pemë (agrumesh dhe ullinjsh).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë arrestuan shtetasin A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Gjokaj, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të një shtetasi tjetër, u dogj një sipërfaqe toke në këtë fshat, e mbjellë me dru frutorë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. B., 39 vjeç, banues në fshatin Levan, pasi gjatë tërheqjes me karrotrecin që drejtonte të një automjeti të aksidentuar, janë shkaktuar shkëndija elektrike, të cilat janë përhapur dhe kanë djegur dhjetëra pemë arre në pronësi të një shtetasi, në fshatin Romës.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit apelon sërish ndaj të gjithë qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve apo poseduesve të kullotave që, në asnjë rrethanë, të mos ndezin zjarr.

Gjithashtu, praktika e gabuar dhe penalisht e ndëshkueshme e djegies së mbeturinave në toka bujqësore ose kullota përbën rrezik për përhapjen e pakontrolluar të flakëve, si dhe për dëmtimin e pronës, shëndetit dhe jetës.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë menjëherë çdo shtetas që tenton të kryejë zjarrvënie, duke iu garantuar anonimat të sigurt, reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.

Poll

MOS HUMB