Aktualitet

Debati për vilën 15 milionë euro në Itali, Shehaj i përgjigjet akuzave: Është pasuri e deklaruar, s'kam asgjë për të fshehur

Përmes një reagimi publik, Shehaj ka deklaruar se prona është e tij dhe se ajo është deklaruar prej tij në institucionet përkatëse, duke mohuar që të jetë një zbulim i kundërshtarëve politikë.

zh.ll
Debati për vilën 15 milionë euro në Itali, Shehaj i
agron shehaj

TIRANË- Pas debatit të zhvilluar një ditë më parë në Kuvend, kreu i Partisë Mundësi, Agron Shehaj, ka reaguar lidhur me akuzat për vilën e tij në Itali. 

Përmes një reagimi publik, Shehaj ka deklaruar se prona është e tij dhe se ajo është deklaruar prej tij në institucionet përkatëse, duke mohuar që të jetë një zbulim i kundërshtarëve politikë.

Shehaj shprehet krenar për arritjet e tij profesionale, duke përmenduar bashkëpunimet me kompani të mëdha ndërkombëtare si “Vodafone” dhe “Google”, si dhe kontributin e tij në punësim dhe pagesën e taksave, teksa shton se nuk ka asgjë për të fshehur.

"Po, kjo është vila ime e plazhit në Itali. Nuk është zbulim i Taos dhe as i mediave të tyre, por është deklarimi që vetë unë kam bërë. Pasuria ime e vënë me punë të ndershme. Jam krenar për çfarë kam arritur sepse partnerët e mi kanë qenë gjigandët si ‘Vodafone’ e ‘Google’. Kam punësuar mijëra të rinj, kam paguar taksa. Askush s’më ka falur asgjë dhe nuk kam asgjë për të fshehur. Ndryshe nga këta që dalin në deklarime si pa shtëpi, me kredi por në të vërtetë kanë pasuri marramëndëse me paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve.", shkruan Shehaj në reagimin e tij publik. 

Ndërkohë, sipas deklaratës së ndryshimit të pasurisë të depozituar nga Shehaj, në shtator të vitit të kaluar, ai ka deklaruar shitjen e një pasurie të paluajtshme në Itali, të përbërë nga truall dhe ndërtesë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë, me vlerë 15 milionë euro. Kjo shumë ka ngritur pikëpyetje për shkak të diferencës së dukshme me çmimet e zakonshme të tregut për prona të ngjashme.

Çështja u soll dje në vëmendje dhe u bë qendër e debatit gjatë seancës plenare nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Nga foltorja e Kuvendit, Balla i kërkoi publikisht Shehajt të japë shpjegime për një transaksion të deklaruar në pasurinë e tij, ku thuhet se ka shitur një pronë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë për vlerën 15 milionë euro./ZËRI

Poll

MOS HUMB