
KSAMIL- Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Këqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë ka dokumentuar momentet e përplasjes mes të rinjve, pak minuta para ngjarjes tragjike.
Sipas pamjeve të administruara në kuadër të hetimit, rreth orës 05:14 të mëngjesit të 18 gushtit, disa persona dalin nga ambientet e lokalit “Principotes” dhe qëndrojnë pranë rërës, në ambientet e jashtme të subjektit “Paradise”. Mes tyre identifikohen shtetasit Ibrahim Lemoie, Sudae Akhmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes, ky i fundit i veshur me një bluzë të bardhë.
Rreth një minutë më vonë, nga pjesa jugore e parkimit të “Principotes” afrohen David Gjana alias Heurtevent dhe Sokrat Lipan alias Vata, i cili kishte veshur një këmishë të bardhë.
Në orën 05:16:39, pamjet tregojnë një përplasje fizike mes Vatës dhe një personi të veshur me të bardha. Pas shtyrjes, Vata largohet në drejtim të shezlloneve, por pak sekonda më vonë rikthehet dhe ndjek një prej personave drejt zonës së parkimit.
Përplasja përshkallëzohet në orën 05:16:54, kur Vata afrohet me vrap drejt Ibrahim Lemoie, i cili përplaset me shezllonet dhe bie në tokë. Në pamje, Vata shihet duke e goditur.
Pak çaste më pas, Luis Mendes ndërhyn dhe e shtyn Vatën, duke e rrëzuar në tokë. Pasi ngrihet, Vata i afrohet 20-vjeçarit dhe nis ta godasë.
Në orën 05:17:20, sipas pamjeve të kamerave, David Heurtevent i bashkohet Vatës dhe të dy godasin Luis Mendes. Në këtë moment ndërhyn edhe Sudae Akhmat, i cili tenton të ndihmojë shokun e tij dhe godet Vatën.
Përleshja vijon edhe në zonën e plazhit. Në pamjet e orës 05:17:35-05:17:46, Serxhi Selimi shihet duke goditur me grushte Ibrahim Lemoie, ndërsa Luis Mendes, për t'u larguar nga goditjet që po merrte nga Vata dhe Heurtevent, futet me nxitim në det.
Rreth orës 05:17:53, Mendes del nga pjesa jugore e plazhit dhe afrohet pranë zonës ku ndodheshin kamarierët. Sipas pamjeve, ai goditet me grushte nga Serxhi Ademi dhe më pas shtyhet drejt detit.
Vetëm pak sekonda më vonë, në orën 05:18:04, 20-vjeçari del nga uji dhe ecën drejt shezlloneve të plazhit “Paradise”. Në këtë moment, ai shihet me bluzën e bardhë të gjakosur.
Ndërkohë, në orën 05:18:24, David Heurtevent largohet drejt ambienteve të brendshme të lokalit “Principotes”. Në pamje ai duket me pjesën e përparme të rrobave të gjakosura dhe më pas tenton të fshihet.
Rreth dy minuta më vonë, në orën 05:20:28, largohet edhe Sokrat Lipan alias Vata. Edhe ai shihet me bluzën e bardhë të gjakosur, ndërsa pas tij ndodhet kamarieri Igli Cekani, i cili e shoqëron në drejtim të lokalit “Principotes”./ZËRI